TRAZIRA NË PARIS PAS VRASJES SË NJË ADOLESHENTI NGA POLICIA

Protesta dhe trazira shpërthyen në rajonin e Parisit, pasi policia qëlloi për vdekje një 17-vjeçar, i cili, siç u tha, nuk ndaloi kur u urdhërua nga policia rrugore. Një video që qarkullon në rrjetet sociale, tregon një oficer policie që i drejton armën shoferit të një makine, përpara se të dëgjohet një e shtënë. Makina më pas përplaset. Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, tha se videoja e shpërndarë në mediat sociale, është “jashtëzakonisht tronditëse”. Adoleshenti, i identifikuar si Nael M., vdiq si pasojë e plagëve të plumbave në gjoks, pavarësisht ndihmës së urgjencës. Oficeri që dyshohet se qëlloi, u arrestua nën akuzën për vrasje. Nael M. është personi i dytë që vritet këtë vit në Francë nga të shtënat e policisë në trafik. Vitin e kaluar, 13 persona u vranë në këtë mënyrë. Vrasja e Nael M. nxiti një seri protestash mbrëmjen e së martës në Nantere – zonë në perëndim të Parisit, ku u vra adoleshenti. Disa makina dhe kosha plehrash u dogjën, ndërsa stacione të autobusëve u shkatërruan. Së paku 24 persona u arrestuan pas trazirave. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se vrasja e një adoleshenti nga policia është “e pafalshme” dhe shtoi se “asgjë nuk e justifikon” vdekjen e një të riu. Komentet e tij vijnë pasi protestat për vrasjen përfshinë rajonin e Parisit gjatë natës së shkuar. 

SHARE