SPAJIQ: ANËTARËSIMI I MALIT TË ZI NË BE DO TA FORCOJË EVROPËN, FRANCA JEP MBËSHTETJE PËR INTEGRIMIN

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, gjatë një vizite në Paris deklaroi se anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian është një mundësi që Evropa të bëhet më e fortë dhe më stabile.

Ai theksoi se mbështetja e Asamblesë Kombëtare të Francës është me rëndësi kyçe për ratifikimin e marrëveshjes së anëtarësimit dhe se marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Francës janë strategjike, të bazuara në besim, dialog dhe bashkëpunim të ngushtë.

Spajiq u shpreh se Mali i Zi ka bërë reforma të thella gjatë viteve të negociatave, duke forcuar sundimin e ligjit, institucionet dhe luftën kundër korrupsionit.

Ai shtoi se vendi është i përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe synon të bëhet një anëtar i përgjegjshëm i Bashkimit Evropian, duke kontribuar në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi francez Pjer Aleksandër Anglad vlerësoi se Mali i Zi është vendi që po përparon më shpejt në procesin e integrimit evropian dhe theksoi se Franca e mbështet fuqishëm këtë rrugë.

Ai shtoi se po shënohen rezultate konkrete në procesin e afrimit me BE-në dhe se mbështetja politike do të vazhdojë.

Gjatë takimit u diskutua edhe për stabilitetin rajonal, ndikimet e jashtme dhe përfitimet që anëtarësimi i Malit të Zi do të sjellë për Bashkimin Evropian dhe për të rinjtë në vend.

SHARE