Foto: MPNI
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e Malit të Zi dhe Ministria e Administratës Publike kanë përmirësuar shërbimin elektronik të dedikuar për qytetarët për paraqitjen e kërkesave për njohjen e dokumenteve publike arsimore të fituara jashtë vendit, në nivelet e arsimit fillor, të mesëm dhe të lartë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, përmirësimi i ri u mundëson përdoruesve që taksën administrative ta paguajnë drejtpërdrejt përmes portalit, gjatë vetë procesit të paraqitjes së kërkesës.
Theksohet se në këtë mënyrë procedura thjeshtohet edhe më tej dhe shkurtohet koha e nevojshme për kompletimin e dokumentacionit.
“Në këtë mënyrë mundësohet ofrimi më efikas, më i shpejtë dhe më transparent i shërbimit për qytetarët, duke reduktuar pengesat administrative”, thuhet në njoftim.
Ky aktivitet, siç thanë nga Ministria e Arsimit, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit të administratës publike dhe përmirësimit të qasjes në shërbimet elektronike, në përputhje me përkushtimin e Qeverisë për t’u ofruar qytetarëve dhe biznesit shërbime moderne dhe të thjeshta.
Në njoftim thuhet se përmirësimi i shërbimit elektronik është realizuar përmes bashkëpunimit të përbashkët të Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Administratës Publike, me mbështetjen financiare të Delegacionit të Bashkimit Evropian përmes projektit “BE për Administratën Publike”, i cili zbatohet nga një konsorcium i udhëhequr nga kompania KPMG.










