Një sulm me dron ukrainas shkaktoi të martën një zjarr të madh në një rafineri nafte ruse në qytetin Tuapse, thanë zyrtarët, në sulmin e tretë ndaj këtij porti në Detin e Zi brenda më pak se dy javësh.
Ushtria e Ukrainës konfirmoi se kishte kryer sulmin, i fundit në një seri sulmesh të intensifikuara që synojnë industrinë e naftës së Rusisë dhe uljen e të ardhurave që ndihmojnë Moskën të financojë luftën në Ukrainë.
Imazhe të publikuara në mediat sociale treguan tym të zi të dendur që ngrihej nga rafineria. Autoritetet u kërkuan banorëve të qëndronin brenda dhe të mbanin dritaret mbyllur.
Pas një sulmi të mëhershëm ndaj rafinerisë, shi i zi ra mbi qytet, duke lënë pas mbetje vajore.
Sipas burimeve të industrisë të cituara nga Reuters, rafineria kishte ndalur prodhimin më 16 prill për shkak të dëmtimeve nga dronët në port, të cilat e bënë të pamundur transportimin e prodhimit.
Zyrtarët thanë se të paktën tre persona janë vrarë në sulme, ndërsa në një nga goditjet është raportuar edhe derdhje nafte në det.
Tuapse është gjithashtu një destinacion turistik, me plazhe të frekuentuara nga pushues.
Autoritetet rajonale urdhëruan të martën evakuimin e banorëve pranë rafinerisë dhe vendosjen e tyre përkohësisht në një shkollë lokale. Në mediat sociale, banorët shprehën zemërim dhe kërkuan shpjegime pse mbrojtja ajrore nuk ishte forcuar për të parandaluar një sulm të tretë radhazi.
Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj objekteve energjetike ruse që nga marsi, ndërsa bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA për luftën kanë mbetur të bllokuara, teksa Uashingtoni është përqendruar në tensionet me Iranin. Rafineria e naftës në Tuapse ka një kapacitet prodhimi prej rreth 240,000 fuçi nafte në ditë.









