MILLATOVIQ: QEVERITË E MALIT TË ZI DHE KROACISË TË INTENSIFIKOJNË KONSULTIMET POLITIKE

Foto: Predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, u bëri thirrje qeverive të Malit të Zi dhe Kroacisë që të intensifikojnë konsultimet politike në nivelin më të lartë, me qëllim që sa më shpejt të zgjidhen çështjet e hapura mes dy vendeve.

Ai e bëri këtë deklaratë pas takimit me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq, në margjinat e Samitit të Iniciativës “Tre Detet” në Dubrovnik.

Millatoviq theksoi se takimet në nivel të lartë janë veçanërisht të rëndësishme në këtë fazë përfundimtare të procesit të integrimeve evropiane të Malit të Zi.

Sipas tij, mesazhi kryesor drejtuar qeverive të dy vendeve është nevoja për intensifikimin e dialogut politik, në mënyrë që të gjendet zgjidhje për çështjet e hapura ekzistuese.

Ai theksoi se, pavarësisht këtyre çështjeve, mes Malit të Zi dhe Kroacisë ka shumë më tepër hapësirë për bashkëpunim sesa probleme.

Millatoviq dha edhe një mesazh për aktorët politikë në të dy vendet, duke kërkuar ulje të tensioneve dhe promovim të marrëdhënieve të mira fqinjësore, veçanërisht në kontekstin e rrugës evropiane të Malit të Zi.

Ai theksoi se marrëdhëniet dypalëshe nuk janë përgjegjësi vetëm e qeverive aktuale, por e të gjithë aktorëve politikë.

Ai iu drejtua qytetarëve, intelektualëve dhe njerëzve të kulturës në të dy vendet, duke i ftuar që të kontribuojnë në forcimin e lidhjeve mes Malit të Zi dhe Kroacisë dhe në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët evropiane.

I pyetur nëse përgjegjësia për problemet mes dy vendeve i takon më shumë Zagrebit apo Podgoricës, Millatoviq tha se nuk mund të fajësohet vetëm njëra palë, por se përgjegjësia është e përbashkët dhe duhet bashkëpunim i ndërsjellë për përmirësimin e marrëdhënieve.

SHARE