DUKAJ: INTELIGJENCA ARTIFICIALE NË SHËRBIM TË QYTETARËVE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministria e Administratës Publike ka prezantuar projektin “Implementimi i asistentit digjital – CHATBOT”, një zgjidhje inovative që u mundëson qytetarëve të marrin shpejt dhe lehtë informacione përmes portaleve ekzistuese shtetërore.

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, tha se me këtë CHATBOT me inteligjencë artificiale, informacionet do të jenë të disponueshme menjëherë, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, pa pritje dhe pa pengesa administrative.

Sipas tij, kjo shënon një ndryshim thelbësor në mënyrën e funksionimit të administratës publike.

Asistenti digjital është dizajnuar që qytetarët të mund të bëjnë pyetje në kohë reale dhe të marrin përgjigje të sakta, pa procedura të gjata apo kërkime të ndërlikuara.

Nga Ministria theksojnë se qëllimi i projektit është përmirësimi i përvojës së përdoruesve, rritja e qasjes në informacione dhe forcimi i procesit të digjitalizimit të administratës publike.

Faza pilot e projektit do të shërbejë për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit, bazuar në reagimet e përdoruesve, ndërsa planifikohet edhe zgjerimi i funksionaliteteve në të ardhmen.

Ministri Dukaj theksoi gjithashtu rëndësinë e përdorimit të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale, duke respektuar mbrojtjen e të dhënave, transparencën dhe standardet etike.

Ai rikujtoi se është krijuar korniza institucionale për zhvillimin e IA në përputhje me standardet evropiane dhe se gjatë vitit 2025 është përgatitur Vlerësimi Kombëtar i gatishmërisë për inteligjencë artificiale, i cili do të shërbejë si bazë për Strategjinë e zhvillimit të IA deri në vitin 2030.

Sipas tij, qëllimi nuk është vetëm ndjekja e trendeve teknologjike, por që Mali i Zi të jetë vend që merr pjesë aktive në formësimin e së ardhmes së administratës digjitale.

SHARE