RAPORTOHET PËR VIKTIMA PAS SULMEVE RUSE NDAJ QYTETEVE UKRAINASE

Të paktën 19 persona janë vrarë në valën e re të sulmeve ruse ndaj qyteteve ukrainase, përfshirë edhe kryeqytetin, Kiev, thanë zyrtarët rajonalë dhe ushtarakë.

Në Uman, qytet në rajonin qendror të Çerkasit, sulmet ruse me raketa vranë të paktën 17 persona dhe plagosën nëntë të tjerë, tha Ihor Taburets, kreu i administratës ushtarake rajonale. Raketat goditën një ndërtesë banimi dhe një depo, tha Taburets.

Në Dnipro, qytetin më të madh në brigjet e lumit Dnjepër në Ukrainë, një grua dhe një vajzë e vogël u vranë nga sulmet ruse, pavarësisht se mbrojtja ajrore ukrainase arriti të rrëzonte shtatë raketa, tha Sehir Lysak, kreu i administratës ushtarake për rajonin e Dnipropetrovskit.

“Një shtëpi private është shkatërruar në Dnipro. Një vajzë dyvjeçare dhe një grua 31 vjeçare janë vrarë. Tre persona të tjerë janë plagosur”, tha Lysak.

Sulmet po ashtu shkaktuan dëme të mëdha në ndërtesën e një kompanie private, tha ai.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se sulmet ishin “edhe një natë e terrorit rus”.

“Ligësia ruse mund të ndalet me armë: mbrojtësit tanë janë duke e bërë këtë. Dhe mund të ndalen me sanksione: sanksionet botërore duhet të ashpërsohen”, shkroi ai në Twitter.

SHARE