PUTIN FIRMOS DEKRETIN: UKRAINASIT QË REFUZOJNË NËNSHTETËSINË RUSE, DO TË DËBOHEN

    Vladimir Putin firmosi dekretin që lejon deportimin e banorëve nga territoret ukrainase të aneksuara në mënyrë të paligjshme prej Rusisë pas fillimit të agresionit të saj ndaj vendit fqinj, nëse ata refuzojnë të marrin nënshtetësinë ruse.

    Dekreti i publikuar në portalin zyrtar rus të informacioneve ligjore parashikon që mbajtësit e pasaportave ukrainase në këto rajone ose të bëhen qytetarë rus, ose ta deklarojnë se e refuzojnë një gjë të tillë, e në këtë mënyrë do të konsiderohen shtetas të huaj dhe nga 1 korriku 2024, mund të dëbohen prej andej. Arsyetimi i dhënë për këtë lëvizje është se ata persona që do ta marrin statusin e shtetasve të huaj apo qytetarëve pa shtetësi mund të kërcënojnë “sigurinë kombëtare”, e për këtë, duhen larguar.

    “Ata që paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare, mbështesin ndryshimet e dhunshme të rendit kushtetues, financojnë aktivitetet terroriste dhe ekstremiste apo marrin pjesë në aktivitete të paautorizuara mund të dëbohen”, nënvizohet në vendim.

    SHARE