PUSHTETI DHE OPOZITA ME PROPOZIME TË NDRYSHME RRETH HETIMEVE PËR ENERGJINË

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë diskutuar sot për themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës. Në diskutim janë dy komisione hetimore për energjinë. Njëri është iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe është përkrahur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Komisioni tjetër është propozuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV). Partitë opozitare kanë thënë se komisioni i tyre do të analizonte të gjitha masat e marra prej periudhës së shpalljes së gjendjes emergjente për energjinë, për të cilën Kuvendi ka votuar në fund të vitit të kaluar. Komisioni i propozuar nga LVV do të hetonte më shumë çështje në sektorin e energjisë. Disa nga to janë: hetimi i investimeve kapitale në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) në periudhën 2006-2022, investimet kapitale në distribucionin e energjisë elektrike pas privatizimit dhe burimet nga ku janë bërë ato investime. LVV po ashtu propozon të hetohen edhe punësimet e bëra nga viti 2006 deri në prill të këtij viti, kontratat e lidhura për blerje të energjisë elektrike nga viti 2006 deri më 2022, procedurat e ndjekura gjatë këtyre blerjeve dhe shumë çështje tjera në fushën e energjisë. Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka propozuar që në komisionin hetimor për energji të përfshihen edhe këto çështje, pasi në të kundërtën deputetët e kësaj partite nuk do të votojnë. “Nëse dëshirojmë të jemi transparentë, po e zgjerojmë gamën e hetimit në sektorin e energjisë që do ta bëjë komisioni hetimor në sektorin e energjisë”, tha Kusari Lila. Me këtë propozim nuk është pajtuar shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri. Ai ka thënë se komisioni hetimor ka mandat gjashtëmujor për të bërë hetime, dhe sipas tij “është e pamundur të hetohen të gjitha çështjet brenda kësaj periudhe”.

SHARE