DONFRIED: BE-ja T’I NISË SA MË PARË BISEDIMET ME TIRANËN DHE SHKUPIN

Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, gjatë vizitës në Shkup, më 28 prill, i ka dhënë mbështetje Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, zyrtarja amerikane tha se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian, pasi vendi, sipas saj, i ka përfunduar të gjitha reformat e nevojshme për t’u anëtarësuar në BE. “E kemi thënë tashmë dhe do ta përsërisim se ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht aspiratat tuaja dhe dëshirojmë që sa më shpejt të jetë e mundur të mbahet konferenca ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ju keni përfunduar detyra të vështira duke përmbushur reformat e nevojshme dhe meritoni të ecni përpara me shpejtësi”, deklaroi Donfried. Ajo tha se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, do të kontribuojë për një stabilitet më të madh në Ballkan dhe një prosperitet më të madh në Evropë, ndërsa vlerësoi lart edhe mbështetjen që autoritetet maqedonase i kanë dhënë Ukrainës në luftën kundër agresionit rus. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, tha se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian paraqet politikë të sigurisë, andaj, sipas tij, anëtarësimi i rajonit në BE është i një rëndësie të jashtëzakonshme për sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe evropian. Ai theksoi se me rëndësi për Maqedoninë e Veriut, por edhe rajonin është forcimi i bashkëpunimit me SHBA-në dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë, ndërsa përsëriti mbështetjen e Shkupit për Ukrainën në përballjen me pushtimin rus.

SHARE