GJELOSHAJ: ÇMIMET E ARTIKUJVE MË TË ULTA NGA 10 DERI NË 15 PËR QIND

Çmimet e artikujve që mbulohen nga vendimi i Qeverisë për kufizimin e marzheve janë 10 deri në 15 për qind më të ulëta, bëri të ditur ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj dhe shtoi se masa do të zbatohet në çdo dyqan nga 31 marsi.

Ai tha se për fat të keq dyqanet nuk kanë zbatuar masat në një periudhë kaq të shkurtër kohore në të gjitha objektet.

“Këto gjëra inspektimi i tregut ua ka vënë në dukje të gjitha dyqaneve dhe nuk do të fillojë me masa kufizuese, pra ndëshkime para të hënës. Në procedurën e shpalljes së vendimit ka munguar komunikimi, sepse masat është dashur të fillojnë më 31 mars”, tha Gjeloshaj pas seancës së Qeverisë.

Ai tha se nga 31 marsi masa do të zbatohet kudo dhe në çdo dyqan.

“Të dhënat e para tregojnë se çmimet për këto artikuj janë 10 deri në 15 për qind më të ulëta në total. Në dyqane kemi nga 530 deri në 550 artikuj”, shtoi ministri.

Ai tha se në ditët në vijim do të ketë një raport zyrtar se cilët artikuj kanë zbritje, sa ka qenë çmimi më parë dhe sa është tani, për të informuar opinionin për shumën e zbritjes.

Ai shtoi se çmimet do të jenë më të ulëta dhe jo vetëm të kufizuara, gjë që do të ndikojë në standardin e qytetarëve të Malit të Zi.

I pyetur nëse inspektimet kanë krahasuar çmimet e mëparshme dhe tani, sepse qytetarët ankohen se diferenca është vetëm disa cent, Gjeloshaj është përgjigjur se duhet të trajtohet më seriozisht.

“Ne kemi zinxhirë tregtarë që janë subjekte biznesi të regjistruara në Mal të Zi. Ashtu si ne mundemi, ju gjithashtu mund t’i pyesni ata se cilët artikuj janë me zbritje dhe cilat ishin çmimet më parë dhe cilat janë tani. Nuk ka nevojë të hyjmë në spekulime”, tha Gjeloshaj.

Ai përsëriti edhe një herë se çmimet do të jenë më të ulëta.

“Mendoj se gjëja më e rëndësishme është që ne ta promovojmë atë tek qytetarët, që ata t’i njohin këto produkte, për të mbrojtur standardin e tyre dhe jo për t’u fokusuar në spekulime, sepse e gjithë kjo është lehtësisht e verifikueshme”, tha Gjeloshaj.

SHARE