ZGJEDHJET PARLAMENTARE NË GREQI, QYTETARËT I DREJTOHEN KUTIVE TË VOTIMIT NË 21 MAJ

Zgjedhjet parlamentare në Greqi do të zhvillohen në 21 maj, ka bërë me dije kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis gjatë mbledhjes së sotme të kabinetit.

Ai vuri në dukje se kjo datë është në përfundim të periudhës katërvjeçare, në harkun kohor të parashikuar nga ligji, dhe nuk bëhet pengesë për provimet e maturës apo fillimin e sezonit turistik.

Në bazë të ligjit ekzistues, zgjedhjet kësaj here zhvillohen me sistemin proporcional të thjeshtë me anë të të cilit asnjë parti nuk mund të sigurojë shumicën parlamentare,ndaj parashikohet edhe raundi i dytë zgjedhor në fillim të korrikut që do të zhvillohet me sistem mazhoritar. Mitsotakis ka theksuar se votimi i parë do të përcaktojë se kush do të qeverisë dhe votimi i dytë do të përcaktojë se si do të qeverisë.

“Qytetarët duhet të dinë se për kë kryeministër do votojnë”, ka thënë ai duke komentuar se sistemi zgjedhor i proporcionalitetit të thjeshtë ka çuar në një “gjendje jostabiliteti” në vendet e tjera evropiane dhe ka sjellë si shembull Bullgarinë ku të dielën e ardhshme mbahen zgjedhjet e pesta do në dy vjet.

Në të njëjtën kohë, Kyriakos Mitsotakis bëri një vlerësim të shkurtër të punës legjislative të qeverisë së tij, duke nënvizuar se janë mbajtur të gjitha angazhimet parazgjedhore të Demokracisë së Re dhe se “Greqia është në një pozitë shumë më të mirë në vitin 2023, krahasuar me 2019-ën”.

Ai ka theksuar gjithashtu se në votime qytetarët do të krahasojnë dy administrata të ndryshme për sa i përket ekonomisë, shoqërisë, mbrojtjes, politikës së jashtme, përfaqësimit ndërkombëtar të vendit, gatishmërisë për menaxhimin e krizave, ndershmërisë, ndjeshmërisë politike dhe përpjekjes së vazhdueshme.

SHARE