QUINT KËRKON PEZULLIMIN E ZBATIMIT TË VENDIMIT TË BQK-së PËR DINARIN

Ambasadat e vendeve të Quintit në Kosovë (Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës) në një deklaratë të përbashkët kanë theksuar se janë të shqetësuar mbi ndikimin e rregullores së fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për operacionet me para të gatshme.

Në deklaratën e përbashkët të ambasadave, bëhet e ditur se rregullorja e BQK-së, e cila synon të reduktojë paratë e falsifikuara, të ruajë stabilitetin financiar, si dhe të rrisë transparenca e flukseve të parasë në Kosovë “megjithatë ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti tek komuniteti serb”.

“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat ​​dhe spitalet, për të cilat asnjë mënyrë alternative nuk duket e zbatueshme për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa apo ndihma financiare nga Serbia”, thuhet në njoftim.

Ambasadorët e vendeve të Quintit u takuan të premten edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar për çështjen e ndalimit të operimit me para të gatshme me tjetër valutë përpos euros në territorin e Kosovës.

Ambasadorët i kërkuan Kurtit në takimin e fundit pezullimin e zbatimit të rregullores së BQK-së për të mundësuar një periudhë më të gjatë tranzicioni të tillë dhe për një komunikim më të qartë dhe efektiv publik.

Sipas Quintit, po ashtu, “çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të Dialogut të Lehtësuar të BE-së”.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) gjatë janarit ka marrë vendim që nga 1 shkurti në Republikën e Kosovës valuta e euros të jetë valuta e vetme e lejuar për kryerjen e transaksioneve me para të gatshme.

SHARE