ZENOVIQ: ZGJERIMI I BE-së DUHET TA BËJË EVROPËN MË TË FORTË

Foto: CdM

Zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është vetëm çështje e së ardhmes së vendeve kandidate, por edhe një vendim strategjik për sigurinë, konkurrueshmërinë dhe rolin global të vetë BE-së, deklaroi kryenegociatori i Malit të Zi, Predrag Zenoviq, në një konferencë ndërkombëtare në Athinë.

Duke folur për të ardhmen e zgjerimit evropian, Zenoviq theksoi se Mali i Zi, me 25 kapituj të mbyllur përkohësisht, ka hyrë në fazën përfundimtare të negociatave, me synimin për t’i përfunduar ato deri në fund të vitit 2026 dhe për t’u bërë anëtar i BE-së në vitin 2028.

Ai përmendi krijimin e grupit të posaçëm të punës për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit dhe përfshirjen e Malit të Zi në projektbuxhetin e BE-së për periudhën 2028–2034, si dëshmi të përgatitjeve të Unionit për anëtarësimin e vendit.

“Zgjerimi është një investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin evropian. Megjithatë, urgjenca gjeopolitike nuk duhet ta zëvendësojë parimin e meritave dhe as sundimin e ligjit. Një Evropë më e madhe duhet të jetë njëkohësisht edhe më e fortë”, deklaroi Zenoviq.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e informimit të qytetarëve të BE-së për përfitimet e zgjerimit, duke nënvizuar rolin e mediave, akademikëve dhe shoqërisë civile në këtë proces.

Zenoviq përfundoi se anëtarësimi i Malit të Zi mund të jetë një dëshmi e rëndësishme e besueshmërisë së politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian.

SHARE