Një tornado e fuqishme goditi një kantier ndërtimi në distriktin Kepez të Antalias, në Turqi, duke shkaktuar vdekjen e pesë punëtorëve dhe plagosjen e një tjetri.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00, kur tornadoja përmbysi dy kontejnerë që shërbenin si strehim për punëtorët, si dhe shkaktoi rrëzimin e një vinçi.
Forca e erës i nxori jashtë kontejnerëve personat që ndodheshin brenda. I plagosuri po merr trajtim mjekësor.
Guvernatori i Antalias, Hulusi Sahin, e cilësoi ngjarjen si një fenomen natyror të pazakontë, duke theksuar se në pjesët e tjera të qytetit nuk ishin raportuar stuhi apo tornado të ngjashme.
Ngjarja ndodhi në një periudhë me kushte të rënda atmosferike, të shoqëruara me erëra të forta, reshje të dendura shiu dhe stuhi.
Ndërkohë, reshje të dendura shiu u raportuan edhe në Stamboll, dy javë pas përmbytjeve vdekjeprurëse që shkaktuan të paktën tetë viktima.









