Ndryshimi që ndodhi në Mal të Zi në vitin 2020 ishte vendimtar për të gjitha të mirat që po ndodhin në vend, veçanërisht në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, tha presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
Siç theksoi ai në programin “Hardtalk” në BBC, vitet e fundit po zhvillohet një luftë serioze kundër korrupsionit në gjyqësor.
Ideja, thotë ai, është që në krye të institucioneve të drejtësisë të emërohen njerëz të pastër, të arsimuar, të respektuar.
Millatoviq tha se rasti “Tuneli” tregoi se nevojitet një marrëveshje politike për reformën në drejtësi dhe ai pret që kjo të ndodhë deri në fund të vitit.
“Ajo marrëveshje do të çonte në emërimin e njerëzve të respektuar, të nderuar në gjyqësor, të cilët do të iniciojnë reforma në fushën e sundimit të ligjit, në mënyrë që gjyqësori të mos jetë në gjendjen në të cilën ishte disa vite më parë,“ theksoi Millatoviq.
Ai beson se Qeveria do të formohet javën e ardhshme dhe se ky është një lajm i mirë. “Unë mendoj se kryeministri i ardhshëm është dikush që ndan vlerat që unë ndaj, ai mbron fuqishëm për sundimin e ligjit dhe rimëkëmbjen ekonomike. Unë jam në politikë për të kontribuar në ndryshime. Si ai, u ktheva në Mal të Zi për të kontribuar për ndryshime”, ka thënë Millatoviq.
Ai tha se që nga hyrja e Spajiqit dhe e atij në politikë, mbështetja për NATO-n në mesin e njerëzve është rritur dhe mbështetja për anëtarësim në BE është mbi 80 për qind.