GJUROVIQ: ËSHTË TURP QË ULQINI NUK KA PORT

Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit Goran Gjuroviq tha se është turp që Ulqini nuk ka një port, një marinë dhe është e papranueshme që në një nga perlat e Malit të Zi, një qytet që ka një traditë kaq të madhe dhe që ka nxjerrë kaq shumë detarë, të mos ketë vend ku të lidhet një varkë. Ai këtë e tha në seancën e sotme të Komisionit Parlamentar për Turizëm dhe Planifikim Hapësinor, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të FORCA-s, Genci Nimanbegu. Gjuroviq tha se mund të llogarisë në mbështetjen e ministrisë dhe të vetes kur është fjala për portin e Ulqinit. “Të shohim se si Ulqini mund të marrë një port, një marinë, diçka që do t’i plotësojë nevojat e qytetarëve”, tha Gjuroviq. Gjendja aktuale, siç tha ai, është problem i madh për qytetarët e Ulqinit. “Do të kishte shumë më shumë peshkatarë dhe më shumë oferta turistike nëse do të kishit një port apo një marinë”, thotë Gjuroviq. Ai pohon se ura e Bunës është një gjë fantastike. “Mendoj se do të kontribuojë shumë në zhvillimin e turizmit si në Mal të Zi ashtu edhe në Shqipëri. Ajo urë, nuk jam i sigurt nëse është rregulluar, mos më besoni, por mendoj ekziston mundësia e ngritjes dhe uljes së tij dhe vetë lundrueshmëria e Bunës do të ishte një gjë fantastike për Malin e Zi dhe ofertën e tij turistike”, theksoi Gjuroviq.

Nimanbegu tha se problemet në Ulqin nuk kanë nisur dje. “Mendoj se është e rëndësishme që t’i përgjigjeni pyetjes se kur do të marrë një port Ulqini”, tha Nimanbegu.

SHARE