BE: PO PUNOJMË PËR NJË ZGJIDHJE PËR TARGAT, PËRSHKALLËZIMI S`I INTERESON ASKUJT

I shqetësuar, Bashkimi Europian përsëriti thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë që në ditët në vijim të frenohen nga veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të situatës. Po punojmë intensivisht  me partnerët tanë për të gjetur një zgjidhje për çështjen e targave, deklaroi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Apelet e deritanishme të Perëndimit tregojnë se ndërkombëtarët janë angazhuar maksimalisht për të shmangur një shpërthim të ri të tensioneve në Kosovë, por u nevojitet pak kohë. “Disa herë në të kaluarën kemi thënë se është me rëndësi të jashtëzakonshme që të parandalohet çfarëdo tensionimi, i cili mund të çojë deri në përshkallëzim të situatës. Ajo që më pak i nevojitet tani Kosovës dhe Serbisë është të ketë tensione të reja, në një kohë kur duhet të fokusohen tek cuarja përpara e dialogut. Siç kemi thënë, dy vendet duhet të punojnë drejt arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse në dialog për normalizimin e raporteve. Ne po punojmë me partnerët tanë, jo vetëm ne si BE, por edhe partnerët tjerë, si dhe me autoritetet e Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të parandalohet çfarëdo shkëndije e përshkallëzimit të situates”, tha Peter Stano. Reagimi i Brukselit erdhi pak orë pasi Lista Serbe dhe Beogradi paralajmëruan rikthimin e barrikadave, nëse Kosova pas 31 tetorit vendos të konfiskojë targat apo makinat e serbëve.

SHARE