BE-ja DO TË NDAJË 75 MILIONË EURO PËR KOSOVËN PËR TË ZBUTUR KRIZËN ENERGJETIKE

Bashkimi Evropian pritet të ndajë 75 milionë euro si ndihmë të menjëhershme për Kosovën në përballimin e krizës energjetike. Kështu ka bërë të ditur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e cila vizitoi Kosovën më 27 tetor. “Ne do të finalizojmë të gjitha procedurat e nevojshme deri në fund të vitit që ju të mund të merrni fondin që në janar”, tha ajo në një konferencë të përbashkët pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke falenderuar BE-në për këtë mbështetje, tha se “është vendimtare që BE-ja të “na qëndrojë pranë dhe të na mbështesë me përballje me krizat, si ajo energjetike”. Përveç çështjes së energjisë që, ishte arsyeja kryesore për vizitën e Von der Leyen në Kosovë, zyrtarja e lartë evropiane foli edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën. “Ju dëgjoj qartë në çështjen e liberalizimit të vizave. E dini se keni një aleat dhe mua personalisht. Kosova e meriton liberalizimin e vizave. I keni përmbushur të gjitha kushtet”, tha Von der Leyen.

Zyrtarja e lartë e BE-së gjatë ditës u takua edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Sipas njoftimit, Kurti ka përsëritur se sa i përket vizave, Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret “dhe se liberalizimi tashmë është më se meritor për qytetarët e Republikës së Kosovës”. Po ashtu Kurti ka deklaruar se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE para fundit të këtij viti. “Ky vendim vjen si rezultat i orientimit politik dhe vleror sa i Qeverisë ashtu edhe i qytetarëve të Republikës të cilët mbështesin masivisht dhe plotësisht integrimin në BE”, u tha në njoftim.

SHARE