KATËR DITË ‘JETË’ PËR QEVERINË / SHBA, RREZIK MBYLLJEJE, NIS NUMËRIMI MBRAPSHT

Mbyllja e katërt e pjesshme e qeverisë amerikane në një dekadë është vetëm katër ditë larg, me republikanët në dhomën e përfaqësuesve që kanë refuzuar paraprakisht një paketë dypalëshe që kaloi në senat e që do të mund të lejonte financimin e agjencive deri në mes të nëntorit.

Qindra e mijëra punonjës federalë do të dërgoheshin në shtëpi dhe një varg shërbimesh, nga publikimi i të dhënave ekonomike e deri tek asistencat do të pezulloheshin nëse kongresi nuk arrin të miratojë legjislacionin që presidenti demokrat Joe Biden mund ta firmosë më pas për ta kthyer në ligj, deri në mesnatën e të shtunës.

Senati votoi me 77 vota pro dhe 19 kundër të martën për të nisur debatin mbi masën që do të financonte qeverinë deri më 17 nëntor, si edhe autorizoi rreth 6 miliardë dollarë fonde për reagime ndaj katastrofave në vend dhe 6 miliardë të tjera ndihma për Ukrainën.

Por, liderët republikanë në dhomën e përfaqësuesve hodhën poshtë hapat e senatit duke thënë se cdo masë financimi afatshkurtër që do të mbërrijë në kongres nuk do të marrë miratimin nëse nuk adreson edhe rrjedhën e emigrantëve përgjatë kufirit amerikan me Meksikën.

Republikanët e kontrollojnë dhomën e përfaqësuesve me një diferencë të ngushtë, 221 me 212 dhe nuk kanë propozuar një draft të tyrin për të financuar qeverinë.

Ata sidoqoftë po përpiqen të miratojnë një seri projektligjesh për vitin e plotë fiskal që nis të dielën.

SHARE