BRUKSELI SHQYRTON MBYLLJEN E KATËR KAPITUJVE TË NEGOCIATAVE ME MALIN E ZI

Foto: BE

Grupi punues i Këshillit të Bashkimit Evropian për zgjerimin pritet të shqyrtojë më 1 shtator draftet për mbylljen e katër kapitujve të negociatave me Malin e Zi: politikën e transportit, sigurinë ushqimore, statistikën dhe politikën sociale e punësimin.

Mali i Zi deri tani ka hapur të 33 kapitujt negociues, ndërsa 18 prej tyre janë mbyllur përkohësisht.

Nëse miratohen, katër kapitujt e rinj pritet të mbyllen në Konferencën Ndërqeveritare BE–Mali i Zi, e cila pritet të zhvillohet muajin e ardhshëm.

Podgorica synon të përfundojë mbylljen e të gjithë kapitujve të negociatave me BE-në deri në fund të këtij viti.

Mali i Zi, i cili i nisi negociatat për anëtarësim në vitin 2012, vazhdon të vlerësohet nga institucionet evropiane si vendi kandidat më i avancuar në procesin e zgjerimit.

Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar më herët se anëtarësimi i Malit të Zi në BE është një mundësi reale në vitet e ardhshme dhe se vendi mund të jetë anëtari i ardhshëm i Unionit.

SHARE