SHUMICA PARLAMENTARE: OPOZITA TË FORMALIZOJË NJË PLATFORMË TË PËRBASHKËT PËR NDRYSHIMET KUSHTETUESE DHE RRUGËN EVROPIANE

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Për shkak të nevojës për konsensus para votimit të ndryshimeve kushtetuese dhe mungesës së një platforme të dorëzuar nga opozita, presim që partitë opozitare që morën pjesë në bisedimet me ndërmjetësimin e Delegacionit të BE-së të tregojnë gatishmëri për integrimet evropiane. Ato duhet ta kthejnë këtë dakordësi në një platformë të vetme dhe të formalizuar, thuhet në njoftimin e shumicës parlamentare.

Sipas tyre, kjo do të konfirmonte seriozitetin e qasjes, do të hiqte çdo paqartësi dhe do të parandalonte narrativat e gabuara politike se bëhet fjalë për marrëveshje të fshehta, e jo për çështje me interes të lartë publik, për të cilat të gjithë kanë shprehur pajtueshmëri në takimin në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Podgoricë.

Ata theksojnë se rruga evropiane e Malit të Zi nuk pranon improvizime dhe as nuk mund të bazohet në mesazhe politike të paqarta apo të papërfunduara.

“Hyrja në Bashkimin Evropian nënkupton një pushtet të përgjegjshëm, stabil dhe homogjen, si dhe një opozitë të përgjegjshme, të bashkuar rreth prioriteteve shtetërore, por gjithashtu të vetëdijshme se objektivat historike arrihen vetëm kur interesi i përgjithshëm vihet mbi atë partiak”, theksojnë ata.

Në fund, ata shtojnë se propozimin për platformën e përbashkët të opozitës e kanë pritur në afatin që e kishin paralajmëruar dhe, duke qenë se ende nuk ka ardhur, e presin atë deri në fund të javës, duke besuar se ky është një afat i mjaftueshëm për harmonizimin e qëndrimeve.

SHARE