MUNGESA E USHTARËVE VAZHDON TA MUNDOJË UKRAINËN EDHE NË VITIN E PESTË TË LUFTËS

Të shtënat me armë zjarri jehuan midis trafikut të bllokuar të mesditës, duke shkaktuar panik tek kalimtarët në një rrugë të ngarkuar në qytetin port të Ukrainës në Detin e Zi, Odesa.

Burra të maskuar dhe me jelekë antiplumb i nxorën disa burra të tjerë nga një minibus i bardhë, i hodhën në trotuar dhe i arrestuan. Burrat e maskuar ishin pjesëtarë të agjencisë kryesore të sigurisë së Ukrainës, SBU.

Njerëzit që po ndaloheshin ishin nga zyra rajonale e rekrutimit ushtarak, e cila është përgjegjëse për gjetjen e burrave që e shmangin thirrjen në ushtri, dhe të atyre që e shpërfillin thirrjen për të luftuar në vijën e frontit.

Arrestimet më 21 prill ishin pjesë e një operacioni të organizuar, thanë autoritetet, për kapjen e rekrutuesve të korruptuar që kërkonin ryshfete dhe shantazhonin njerëz që nuk donin të regjistroheshin, ose nuk kishin të drejtë të regjistroheshin në ushtri.

Dhe, ky nuk është aspak rast i izoluar.

Më shumë se katër vjet pas fillimit të luftës së plotë nga Rusia, mbrojtja e Ukrainës, sa i përket burimeve njerëzore, vazhdon të jetë e mangët.

Kievi ka bërë përpjekje për disa vite të krijojë një sistem më të mirë për të nxitur, tërhequr dhe rekrutuar njerëz për të shërbyer, qoftë në vijën e frontit apo në role të tjera.

Kjo mbetet sfidë e madhe për të. E korrupsioni mes rekrutuesve po e bën edhe më të vështirë.

“Nga njëra anë, të gjithë thonë se duhet të luftojmë deri në fitore, por nga ana tjetër, të gjithë po ikin nga mobilizimi”, u ankua këtë muaj Kyrylo Budanov, ish-shef i inteligjencës ushtarake të Ukrainës.

SHARE