Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, u kanë dërguar një letër ftesë të përbashkët liderëve të shteteve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor për pjesëmarrje në Samitin që do të mbahet më 5 qershor në Tivat, me mesazh për forcimin e perspektivës evropiane të rajonit dhe politikën e zgjerimit si prioritet strategjik.
Ky Samit përfaqëson një moment historik, pasi për herë të parë organizohet në Mal të Zi, duke i dhënë vendit tonë rolin e mikpritësit të një prej tubimeve më të rëndësishme politike dhe strategjike mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Në këtë mënyrë, siç thuhet në njoftim, Mali i Zi konfirmon pozitën e tij si partner kredibil dhe aktor aktiv në procesin evropian, si dhe si urë lidhëse mes rajonit dhe BE-së.
“Letra u është dërguar liderëve të shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të rajonit me qëllim pjesëmarrjen e tyre në këtë takim të rëndësishëm që mbledh liderët evropianë në një moment kur politika e zgjerimit është sërish lart në agjendën e Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftim.
Tema qendrore e Samitit do të jetë “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor”, gjë që pasqyron qartë një moment të ri politik dhe faktin se politika e zgjerimit është e gjallë, dinamike dhe me rëndësi strategjike për të ardhmen e kontinentit evropian.
Programi zyrtar i Samitit fillon më 5 qershor dhe përfshin dy sesione kryesore: takimin plenar dhe një drekë pune.
Takimi plenar do t’i kushtohet progresit në afrimin dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe Planit të Rritjes, si dhe forcimit të stabilitetit rajonal, lidhshmërisë dhe qëndrueshmërisë, ndërsa dreka e punës do të fokusohet në politikën e zgjerimit, sfidat dhe mundësitë kryesore, si dhe përafrimin me politikat dhe standardet evropiane, duke theksuar se zgjerimi mbetet një nga çështjet strategjike kryesore të BE-së.
Në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të rivendosjes së pavarësisë së Malit të Zi, është dërguar edhe ftesë për një darkë solemne më 4 qershor, me të cilën, siç thuhet, do të shënohet simbolikisht ky jubile i rëndësishëm në frymën e partneritetit evropian dhe vlerave të përbashkëta.
Samiti në Tivat përfaqëson një sinjal të fortë politik të unitetit dhe perspektivës së përbashkët evropiane, me të cilin Mali i Zi, si vend mikpritës, tregon aftësinë e tij për të mbledhur Evropën në një moment kur dialogu për zgjerimin është sërish në fokus. Ai do të forcojë më tej moment politik të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor dhe do të konfirmojë rëndësinë strategjike të rajonit për të ardhmen e Bashkimit Evropian.










