Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ka vlerësuar se Mali i Zi është një shtet stabil dhe i përgjegjshëm, me një nivel të lartë të pjekurisë politike dhe me një konsensus të gjerë mes pushtetit dhe opozitës rreth qëllimit kryesor, anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Në Kuvendin e Malit të Zi u mbajt një ligjëratë me temë “Roli i Parlamentit në procesin e anëtarësimit të shtetit në Bashkimin Evropian dhe pas anëtarësimit”, të cilën e mbajti profesoresha Tanja Mishçeviq.
Në fjalën e tij, Mandiq theksoi se Kuvendi aktual ka miratuar mbi 400 ligje, prej të cilave gati gjysma janë të lidhura drejtpërdrejt me procesin e integrimeve evropiane, duke treguar, sipas tij, përkushtim të fortë ndaj reformave, sundimit të ligjit dhe përafrimit me standardet e BE-së.
Ai nënvizoi se roli i Parlamentit është thelbësor në procesin e integrimit, si në miratimin e ligjeve ashtu edhe në forcimin e kontrollit demokratik, transparencës dhe besimit të qytetarëve.
“Qëllimi ynë është i qartë: Mali i Zi të bëhet një vend evropian, një vend i njerëzve të lumtur, të pasur dhe të lirë”, u shpreh Mandiq.
Profesoresha Mishçeviq foli për përvojat e vendeve që kanë kaluar procesin e anëtarësimit në BE, duke u fokusuar në rolin dhe përgjegjësitë e parlamenteve gjatë fazës së para-anëtarësimit dhe pas anëtarësimit të plotë.
Ajo theksoi rëndësinë e harmonizimit të plotë të legjislacionit kombëtar me të drejtën e BE-së, si dhe nevojën për forcimin e funksionit mbikëqyrës të Parlamentit, veçanërisht në kontrollin e qeverisë si negociatore kryesore dhe në monitorimin e shpenzimit të fondeve evropiane.
Po ashtu, ajo vuri theksin te përfshirja e shoqërisë civile dhe përdorimi i mekanizmave parlamentarë si pyetjet deputetore dhe interpelanca. Sipas saj, edhe pas anëtarësimit në BE, Parlamenti mbetet një institucion kyç në kontrollin e zbatimit të ligjeve dhe akteve nënligjore, si dhe në vlerësimin e efekteve të tyre në praktikë.
Gjatë ngjarjes u zhvillua edhe një diskutim me pjesëmarrjen e studentëve nga disa fakultete të universiteteve të Malit të Zi, të cilët shkëmbyen mendime mbi sfidat aktuale të procesit të integrimit evropian.
Organizimi i kësaj ligjërate u vlerësua si një tjetër hap i Kuvendit për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përshpejtimin e rrugës evropiane të Malit të Zi.










