JOKOVIQ: TEPRICA E QUMËSHTIT DO TË EKSPORTOHET NË VENDET E RAJONIT

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave, Vlladimir Jokoviq, ka bërë të ditur se qumështoret në Mal të Zi do të rifillojnë brenda pak ditësh grumbullimin e qumështit nga fermerët e vegjël, pas një takimi me përfaqësues të bujqve, përpunuesve dhe tregtarëve.

Sipas tij, në takim është arritur një marrëveshje parimore dhe ekziston bindja se ajo do të zbatohet me sukses.

Në takim, është rënë dakord që Ministria të mbulojë kostot e transportit dhe të gjitha humbjet për qumështin e grumbulluar, ndërsa teprica e qumështit të papërpunuar të eksportohet në rajon.

Jokoviq ka sqaruar se në Mal të Zi nuk ka qumështore që e përpunojnë qumështin e freskët në qumësht UHT me afat më të gjatë përdorimi, prandaj ky proces do të realizohet në një qumështore në Leskovc, në Serbi. Aty qumështi do të përpunohet, do të paketohet dhe më pas produkti do të kthehet në Mal të Zi, duke përdorur ambalazh tashmë të përgatitur.

Ai theksoi se aktualisht ka një tepricë prej rreth 15 tonësh qumësht të papërpunuar në ditë, ndërsa një pjesë e madhe e produkteve të tjera të qumështit po importohen në vend.

Drejtori i qumështores “Lazine”, Millutin Gjuranoviq, tha se plani është që qumështi të transportohet në Leskovc për përpunim dhe paketim, pas së cilës produkti të kthehet në tregun malazez.

Sipas tij, nëse të gjitha palët bien dakord për detajet operacionale, procesi i grumbullimit mund të rifillojë shumë shpejt, madje edhe ditën pas marrëveshjes përfundimtare.

Ndërkohë, përfaqësuesi i fermerëve, Vllado Llakiq, tha se rreth 400 fermerë prej disa ditësh nuk po arrijnë të dorëzojnë qumështin e tyre, gjë që po rrezikon mbijetesën e tyre.

Ai kritikoi edhe disa zinxhirë tregtarë për mosblerjen e produkteve nga të gjitha qumështoret vendase, duke bërë thirrje për dialog dhe marrëveshje me qëllim që produktet vendase të jenë më të pranishme në raftet e marketeve.

Të gjitha palët janë pajtuar se komunikimi më i shpeshtë dhe në kohë është i domosdoshëm për të shmangur situata të ngjashme në sektorin e qumështit në të ardhmen.

Tregtarët, nga ana e tyre, janë shprehur të gatshëm të ulin importin e qumështit për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit të fermerëve dhe stabilizimin e tregut vendas.

SHARE