SEANCË DËGJIMORE PËR ABAZOVIQIN SHKAKU I VOTËS PËR KOSOVËN

Komisioni për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Parlamentit të Malit të Zi e ka caktuar për 3 maj seancën dëgjimore të kryeministrit në mandatin teknik, Dritan Abazoviq, lidhur me mbështetjen e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës e mbështeti dërgimin e kërkesës për votim tek Asambleja e saj Parlamentare më 24 prill, për të cilën votoi edhe përfaqësuesi i Malit të Zi.

Nga 46 shtete sa ka Këshilli i Evropës, 33 votuan për.

Seanca dëgjimore e Abazoviqit, i cili gjithashtu mban detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme, u mbështet nga deputetët e Frontit Demokratik, ata të Partisë Popullore Socialiste dhe Demokratëve, me sugjerimin e kryetarit të Komisionit, Miodrag Lekiq.

“Të na shpjegojë metodën, me të cilën është vendosur që të përkrahet Kosova si anëtare e Këshillit të Evropës. Kjo çështje është e diskutueshme. Vendimi është marrë tepër lehtë kur janë duke u zhvilluar negociata të rëndësishme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha Lekiq në takimin e Komisionit.

Ai pretendon se hapja e kësaj çështjeje “nuk përfaqëson një politikë antishqiptare”.

SHARE