HOVENIER: INTEGRIMI EVROPIAN DHE EUROATLANTIK I KOSOVËS, URGJENCË E QARTË

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të mërkurën se për Kosovën është e qartë urgjenca për integrim evropian dhe euroatlantik dhe se kjo nënkupton siguri, prosperitet dhe demokraci për popullin e saj.

“Integrimi i saj është thelbësor edhe për arritur sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në rajon”, tha Hovenier.

Duke folur në një ngjarje në Prishtinë për shënimin e 25-vjetorit të fillimit të sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike (NATO) kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi, Hovenier tha se SHBA-ja e sheh stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor si një premtim të rëndësishëm që duhet të përmbushet, posaçërisht pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia e Vladimir Putinit.

“Njëzet e pesë vjet më parë, NATO-ja veproi për ta çuar përpara një vizion për një Evropë të lirë dhe paqësore. Edhe sot ne po punojmë për ta arritur këtë”, tha Hovenier duke folur në ngjarjen e organizuar nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Arkansasit.

Hovenier e ritheksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara që “ngjarjet e tmerrshme që ndodhën në Kosovë 25 vjet më parë të mos përsëriten kurrë më”.

Njëzet e pesë vjet pas kësaj ndërhyrjeje ushtarake, NATO-ja e ka në Kosovë misionin e vet paqeruajtës, KFOR, me praninë e një numri shumë më të vogël të ushtarëve, 4.700 sosh.

“Ne jemi të përkushtuar për ta mbështetur rolin e vazhdueshëm stabilizues që forca e NATO-s e luan në Kosovë”, shtoi ai.

Hovenier ua bëri të qartë autoriteteve kosovare, megjithatë, se rruga e vetme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike është përmes dialogut me Serbinë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Posaçërisht, përmes mirëbesimit dhe zbatimit të të gjitha marrëveshjeve që Kosova i ka arritur përmes dialogut”, tha ai.

Hovenier tha të mërkurën se pret nga Qeveria e Kosovës “sikurse kemi pritur nga qeveritë e mëparshme kosovare”, të punojë në partneritet “për t’i vazhduar përpjekjet tona për të ndërtuar një rajon të sigurt, shumetnik dhe stabil”.

SHARE