KRYETAR I KUVENDIT I KOMUNËS SË TUZIT ZGJIDHET FADIL KAJOSHAJ

Sot është mbajtur seanca e parë e Kuvendit të komunës së Tuzit mbas zgjedhjeve lokale të 5 marsit për administrimin 4 vjeçar të komunës së Tuzit në një mandat të dytë nga pavarësimi i saj.

Seanca e Kuvendit u drejtua nga këshilltari më i vjetër Smail Maliq Çunmulaj, ku u bë verifikimi i mandateve të këshilltarëve nga raporti i Komisionit Komunal Zgjedhor.

Në seancën konstitutive, Fadil Kajoshaj u zgjodh kryetar i Kuvendit.

Kajoshaj u zgjodh me votim të fshehtë dhe u mbështet nga 21 këshilltarë. 18 nga Forumi Shqiptar, këshilltari i Demokratëve Shtjefën Camaj, këshilltari i Partisë Boshnjake Adnan Pepiq si dhe këshilltari i Levizjës për Tuz, Husein Gjokoviq, kurse këshilltarët e PDS-së, UDSH-së dhe SD-së, nuk morën pjesë në votim.

Komuna e Tuzit në katër vitet e ardhshme do të drejtohet nga koalicioni Forumi Shqiptar, i cili fitoi pushtetin absolut në zgjedhjet lokale të mbajtura më 5 mars të këtij viti.

Në zgjedhjet lokale, ky koalicion fitoi 18 mandate, koalicioni PDS, UDSH-PB-SD 12 mandate, Demokratët 1 mandat, ndërsa koalicioni PSD-Lëvizja për Tuz gjithashtu 1 mandat.

Mbas betimit të z.Kajoshaj i cili menjëherë mori detyrën, njoftoi që seanca e rradhës për zgjedhjen e kryetarit të komunës së Tuzit do të mbahet këtë të mërkurë.

SHARE