Kryetari i Alternativës Shqiptare dhe komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, tha se sot janë parë qartë qëndrimet e disa partive për integrimin evropian, zhbllokimin e Gjykatës Kushtetuese dhe qëndrimin ndaj popullit shqiptar.
Ai ka reaguar pasi kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese shqiptari Faruk Resulbegoviq, nuk ka marrë mbështetjen.
“Në mendjet e disa partive dhe deputetëve duket se ende mbretëron histeria antishqiptare e viteve ’90. Sot, Kuvendi i Malit të Zi, përkundër thirrjeve të gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe partnerëve euroatlantikë, nuk mundi t’i zgjedhë të katër gjyqtarët, sepse PDS dhe PB nuk e votuan kandidatin e katërt, z. Resulbegoviq, vetëm pse është shqiptar” , tha Gjeloshaj.
Për PDS-në dhe Partinë Boshnjake ishte e pamendueshme që gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të ishte shqiptar.
“Ky lloj aktiviteti antishqiptar i PDS-së nuk është gjë e re, sepse ata ishin gjithmonë në krye që shqiptarët të mos jenë në institucione, prandaj sot ju dhëmb kjo prani kaq e madhe dhe tregues se kudo që të vendosin ata do të jemi të padëshiruar”, tha Gjeloshaj.
Ai vlerësoi se tashmë gjithçka është e qartë.
Presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq përshëndeti vendimin e Parlamentit të Malit të Zi i cili konfirmoi marrëveshjen për zgjedhjen e tre gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe u bëri thirrje partive pakicë që sa më shpejt të pajtohen për vendin e mbetur të lirë.
“Ftoj dhe inkurajoj partitë e pakicës që të bien dakord për vendin e mbetur bosh sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të arrihet kompletimi i përbërjes së plotë të Gjykatës Kushtetuese. Falënderojmë partnerët tanë për mbështetjen dhe ndihmën e tyre në këtë proces,” tha Gjukanoviq.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka uruar të gjithë deputetët që votuan për kandidatët e Gjykatës Kushtetuese.
„Sot është një ditë e madhe si në spektrin rajonal ashtu edhe në atë europian. Kemi bërë një hap të madh dhe më vjen keq që nuk zgjodhë gjyqtari i katërt. Nuk mund ta besoj që PDS nuk votoi për kandidat të pakicës. Qytetarët nuk duhet ta harrojnë këtë sepse zgjedhjet presidenciale po afrohen dhe PDS do të kërkojë mbështetjen e pakicave. Më vjen shumë keq që gjyqtari i katërt, i cili është shqiptar, nuk ka fituar mbështetjen e PDS,“ tha Abazoviq.
Lajm i mirë sot nga Mali i Zi, tha shefi i Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhënie me Malin e Zi, Vladimir Bilçik.
“Kuvendi tani ka zhbllokuar Gjykatën Kushtetuese duke zgjedhur tre gjyqtarë të rinj. Shpresoj që gjyqtari i katërt të zgjidhet së shpejti. Kultura e dialogut dhe e kompromisit përtej linjave partiake është e vetmja rrugë përpara për përparim në rrugën drejt BE,” tha Bilçik.
Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, përshëndeti emërimin e tre gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Kuvend, duke theksuar se është një hap i rëndësishëm drejt një gjyqësori plotësisht funksional në Mal të Zi.
“Sigurimi i institucioneve të përshtatshme dhe të qëndrueshme është kyç, si dhe reforma të besueshme të BE-së, në mënyrë që Mali i Zi të mund të përparojë në rrugën e BE-së”, tha Michel në Twitter.
Komisioneri Evropian për Zgjerim Oliver Varheli përshëndeti emërimin e tre gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se tashmë janë krijuar kushtet për organizimin e zgjedhjeve presidenciale dhe të përgjithshme.
“Përshëndes emërimin e tre gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti i Malit të Zi. Rithemelimi i një gjykate plotësisht funksionale është thelbësor për stabilitetin dhe funksionalitetin e institucioneve malazeze. Tani janë krijuar të gjitha kushtet për organizimin e zgjedhjeve presidenciale dhe të përgjithshme”, ka shkruar Varheli në Twitter.