Mali i Zi dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme, bashkëpunim të mirë dhe besim të ndërsjellët, u vlerësua gjatë takimit të përbashkët të Kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq dhe ambasadorit të Shqipërisë në Mal të Zi, Ridi Kurtezi.
Gjatë këtij takimit Markoviq dhe Kurtezi, diskutuan për ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe shprehën dëshirën dhe vullnetin për intensifikimin e tyre dhe bashkëpunimit të mëtejshëm me qellim të ruajtjes dhe forcimit të stabilitetit dhe prosperitetit në rajon.
Siç kumtohet nga Qeveria e MZ, Markoviq, ka thënë se dialogu politik është intensiv dhe në nivelin më të lartë dhe se Mali i Zi dhe Shqipëria, si aleatë në kuadër të NATO-s, së bashku kontribuojnë në vlerat e Aleancës.
Gjatë diskutimit u shpreh nevoja për koordinim dhe komunikim të vazhdueshëm mbi çështjet e rëndësishme për të dy vendet, duke përfshirë këtu shqetësimet për resurset dhe potencialet e përbashkëta dhe rëndësinë e ruajtjes së tyre.
“Duke vënë në dukje se Mali i Zi, në periudhën e ardhshme do të forcojë lidhjet infrastrukturore dhe energjetike e cila ndër të tjera do të lidhë më mirë dy vendet, Kryeministri malazez Markoviq tha se e sheh këtë si një shans jo vetëm për lidhje më të mira mes njerëzve, por edhe për kompanitë dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik. E pikërisht ekonomia, siç tha ambasadori Kurtezi, do të jetë fokusi i punës së tij në Malin e Zi”, kumtohet nga Qeveria e MZ.