VENDET BALTIKE MBËSHTESIN FUQISHËM ANËTARËSIMIN E MALIT TË ZI NË BE

Kryeministrit Millojko Spajiq, me rastin e zgjedhjes së Qeverisë së 44-të, i kanë dërguar urime kryeministret e vendeve baltike, njofton Qeveria e Malit të Zi.

Kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Shimonite, shprehu mbështetjen për rrugën e mëtejshme të Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian, së bashku me “urimet e sinqerta për zgjedhjen për kryeministër”.

“Anëtarësimi juaj do të forcojë vetë Bashkimin Evropian dhe do të çojë në prosperitetin dhe sigurinë e të gjithë Ballkanit Perëndimor. Lituania pret me padurim forcimin e lidhjeve miqësore dypalëshe mes dy vendeve tona”, ka shkruar kryeministrja e Lituanisë.

Një mesazh urimi ka dërguar edhe kryeministrja e Republikës së Letonisë, Evika Silina.

“Jam e bindur se marrëdhëniet midis vendeve tona do të vazhdojnë të zhvillohen me kënaqësi reciproke dhe në interes të një Evrope të bashkuar dhe të begatë. Ju uroj sukses dhe këmbëngulje në procesin e reformave në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Letonia do vazhdojnë të mbështesin integrimin evropian të Malit të Zi dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Silina.

Në mesazhin e urimit të kryeministres së Estonisë, Kaja Kalas, thuhet: “Estonia vlerëson shumë bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve tona, dypalëshe dhe shumëpalëshe, si dhe aleancën brenda NATO-s. Ne vazhdojmë ta mbështesim fuqishëm Malin e Zi në rrugën e tij evropiane me gatishmërinë për të ndarë përvojën tonë nga procesi i reformave dhe anëtarësimi në BE”.

SHARE