Autoritetet meksikane nxituan të dërgonin ndihma emergjence, të rikthejnë komunikimin dhe të vlerësojnë dëmet në qytetin e Akapulkos, në brigjet e vendit në paqësor, pasi një uragan i fuqishëm shkaktoi një katastrofë totale.
Presidenti Andres Manuel Lopez Obrador, mbërriti në qytet pasditen e të mërkurës, pasi autokolona e makinave të tij u përball me rrugë të bllokuara nga rrëshqitjet e dheut dhe mbeturina të tjera, duke detyruar presidentin dhe të tjerët të braktisin mjetet dhe të ecin në këmbë për kilometrat e fundit.
“Ushtria po sjell makineritë e rënda dhe ne do ti rihapim rrugët sa më shpejt që të mundemi”, i tha ai gazetarëve.
Presidenti më herët kishte bërë të ditur se nuk kishte raporte për viktima por ka dëme materiale dhe rrugë të bllokuara.
Të gjitha këto bënë që shumëkush të detyrohej të endej nëpër baltë për orë të tëra në përpjekje për të gjetur ushqim dhe strehim.
“Akapulko është një katastrofë totale. Nuk ngjan aspak me qytetin që ishte më parë. Parku është shkatërruar totalisht, ndërtesat dhe rrugët”, thotë një 24 vjecar i cili edhe tregon se dyqanet janë vjedhur të gjitha dhe njerëzit janë përleshur me njëri tjetrin për mallrat.
Të tjerë thanë se një lum i tejfryrë dhe urat e shembura kanë izoluar komunitete të tëra pranë qytetit. Uragani Otis, u shoqërua me erëra që kapën shpejtësinë e 265 km në orë kur goditi bregun, por më pas u zbut mbi meksikën e jugut.
Stuhia u fuqizua shumë për të arritur kategorinë pesë, më e larta në shkallën Saffir Simpson, duke bërë që kur preku tokën të mbillte shkatërrim.
Banorët tregojnë se ndërtesat tundeshin nga era e fortë si nga një tërmet dhe pemët shkuleshin me gjithë rrënjë.