KOVAÇEVSKI, VUÇIQ DHE RAMA: PËRVOJAT POZITIVE NGA “BALLKANI I HAPUR” DO T’I PËRCJELLIM NË SAMITIN NË BERLIN

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me iniciativën e tij ka zhvilluar një takim koordinues online me liderët e vendeve pjesëmarrëse në iniciativën “Ballkani i Hapur” (Open Balkan), presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.  Sipas njoftimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, takimi online është në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili mbahet në fillim të nëntorit në Berlin. Nga ana e Maqedonisë së Veriut, në takimin koordinues morën pjesë zv/kryeministri Bojan Mariçiq, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Branko Azeski. “Në takim, liderët theksuan se ‘Ballkani i Hapur’ njihet si një nismë pozitive rajonale që tashmë ofron rezultate konkrete për kompanitë dhe qytetarët kur bëhet fjalë për liritë evropiane për lëvizjen e njerëzve, shërbimeve dhe mallrave. Për këtë qëllim, në Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit, liderët ranë dakord të përcjellin të gjitha përvojat pozitive nga ‘Ballkani i Hapur'”, thuhet në deklaratë. Liderët theksuan se “Ballkani i Hapur” është një iniciativë që mobilizon administratën, biznesin dhe qytetarët për përparim të përbashkët të rajonit dhe për mbështetje të përbashkët në situata krize të shkaktuara nga mungesa e ushqimit dhe energjisë elektrike. Liderët diskutuan edhe qëndrimet e përbashkëta të tre vendeve për të përshpejtuar zbatimin e nismave aktuale.

SHARE