35 VJETORI I FJALIMIT TË NËNËS TEREZE NË KOMBET E BASHKUARA ME RASTIN E 40 VJETORIT TË THEMELIMIT TE KËSAJ ORAGANIZATE

Paraqitja e Nënës Tereze nga Sekretari i Pëgjithshëm i OKB-ës Perez de Cuellar

Kjo është salla e fjalëve. Disa ditë më parë kishim në këtë platformë burrin më të fuqishëm në botë. Sot jemi të privilegjuar që të kemi në mesin tonë gruan më të fuqishme në botë. Nuk ka nevojë t’ua paraqesë atë. Ajo nuk ka nevojë për fjalë. Ajo ka nevojë për vepra. Besoj që më të mirën që mund të bëj për ta nderuar atë, duke thënë se ajo është më shumë se Unë, më shumë se të gjithë ne, që jemi këtu në këtë sallë. Ajo është Kombet e Bashkuara. Ajo është paqëja në botë. Ju faleminderit. 

Nëna Tereze:

Jemi mbledhur së bashku për të falënderuar Zotin për 40-vjetorin e Kombeve të Bashkuara dhe për punën e bukur që ka bërë për të mirën e njerëzimit dhe ndërsa po fillojmë vitin e paqës, të themi lutjen që të gjihë e keni nga një dhe kështu të gjithë së bashku të themi lutjen për paqë. Të lutemi për punët e dashurisë dhe paqës. E themi së bashku, kështu mbase fitojmë paqën dhe Zoti mund të na japë paqën, duke na bashkuar të gjithëve. 

O Zot na bë të denjë t’i shërbejmë njeriut tonë të dashur anë e mban botës,
të cilët jetojnë dhe vdesin në varfëri dhe nga uria,
Jepu atyre me duart tona, në këtë ditë , bukën e tyre të përditshme 
dhe me dashurinë tonë të mirëfillët jepu paqë e kënaqësi,

O Zot më drejto në rrugën e paqës.
Atje ku ka urrejtje, mbase Unë mund të sjellë dashurinë,
Atje ku është gabimi, mbase Unë mund të sjellë, frymën e të falurit 
Atje ku ekziston mosmarrëveshja, mbase Unë do të sjellë harmoninë, 
Atje ku është gabimi mbase Unë mund t ë sjellë të vërtetën
Atje ku është dëshpërimi mbase Unë mund të sjellë shpresën
Atje ,ku është terri mbase Unë mund të sjellë dritën,
Atje ku është pikëllimi mbase Unë mund të sjellë gëzimin
O Zot, me jep fuqinë që Unë të rehatoj, dhe jo të rehatohem
Të kuptoj se sa për t’u kuptuar 
Të dashuroj se sa për të qënë e dashuruar
Që të harroj vetveten
Duke falur, mund të falemi 
Vetem vdekja e ngjallë jetën e amshueshme
Amen.

Lusim Zotin të na bëjë shërbëtorë të paqës,të lumturisë e të dashurisë dhe të bashkimit dhe pikërisht për këtë ka ardhur Jezusi: për të vërtetuar këtë dashuri. Zoti e ka dashur botën aq shumë dhe për këtë na ka dhënë djalin e tij Jezu Krishtin për të ardhur në mesin tonë, për të  sjellur lajmin e mirë se Zoti na do ne. Dhe se Ai kërkon nga ne që ta duam njëri tjetërin, astu siç na do Ai ne. Ai na ka krijuar ne për një arsye: që të dashurojmë dhe të jemi të dashuruar.  Zoti nuk na ka krijuar për ndonjë arsye tjetër. Ne nuk jemi vetem një numër në këtë botë. Ne jemi fëmijët e Zotit. 

Herën e fundit kur isha në Kinë, ata më pyetën: “Çka është komunisti për ju”? “Unë thash, komunisti është fëmijë i Zotit, është vëllau im dhe motra ime”. Dhe kështu me të vërtetë mendova se ne jemi vëllazër e motra. Për arsye se e njëjta dorë e dashur e Zotit ka krijuar ju dhe mua, ka krijuar njeriun e rrugës, ka krijuar të gërbulurin, të uriturin dhe secilin njeri për qëllime të njëjta për të dashur dhe për të qënë i dashuruar. Dhe për këtë jemi bashkuar sot për të gjetur rrugën e paqës. 
Si vjen paqa? Ajo vjen nga punët e dashurisë. Ku fillon? Në shtëpi. Si fillon? Duke u lutur së bashku. Një familje që lutet së bashku qëndron e bashkuar. Dhe nëqftëse qëndroni të bashkuar do ta doni njëri tjetërin, ashtu siç u do Zoti ju. Lutjet pastrojnë zemrën dhe zemëra e pastër mund ta shohë Zotin. Dhe nëqoftëse e shohim Zotin tek njëri tjetëri dhe nëqoftë se jemi të lumtur që e shohim Zotin tek njëri tjetëri, atëhërë do ta duam njëri tjetërin. Për këtë arsye, as ngjyra, as feja dhe as kombësia nuk mund të  na ndajnë. Kjo do të thotë se ne të gjithë jemi njësoj, fëmijët e dorës së dashur të Zotit, të krijuar për punë të mëdha: “për të dashur dhe për të qënë të dashuruar”. Duhet të përjetojmë gëzimin e dashurisë. 
Nuk do të harroj kurrë, kur kohë më parë dy të rinjë erdhën në shtëpinë tonë dhe ata më dhanë një sasi të dukshme parash. Unë i pyeta ata ku i kishin marrë gjithë ato ato të holla? Ata thanë se ishin martuar dy ditë më parë. Përpara se të martoheshim, vendosëm të mos blejmë rroba të martesës dhe nuk do të bëjmë dasëm. Vendosëm t’ua japim ju, paratë e dasmës. Unë e kuptojë mirë se në vendin tonë në familjen Hindu, çka do të thotë kjo, të mos kesh rrobet e nusërisë dhe të mos bëjsh dasëm. Unë përsëri i pyeta pse keni bërë kështu? Ata thanë: “Ne e duam njëtri tjetërin aq shumë dhe për këtë vendosëm të ndajmë gezimin tonë me ju dhe me njerëzit të cilëve ju u shërbeni. Si e përjetuam këtë? Duke dhënë deri në çastin kur të dhëmb. 
Isha një herë duke shkuar në Etiopi dhe disa fëmijë të vegjël erdhën tek unë. Ata kishin dëgjuar se isha duke shkuar atje. Ata erdhën për të mësuar nga motrat e mia numrin e fëmijëve që vuanin në Etiopi. Ata erdhën dhe secili nga ata më solli diçka, ata sollën sasi të vogël parash. Disa nga ata dhanë çka kishin. Një djalë i vogël erdhi tek unë duke më treguar se nuk kishte para për të dhënë. Ai tha se kishte një copë çokollate. Deshiroj që këtë çokollatë t’u japësh fëmijëve të Etiopisë. Ky fëmij i vogël kishte dashuri të madhe dhe isha e bindur se kjo kishte qënë çokollata e parë që kishte pasë në dorë ndonjëherë ky djal i vogël. Ai ma dha, bile me gëzim për të pakësuar vuajtjen e dikuj tjetër në Etiopi. Kjo është kënaqësia për të dhënë deri në atë moment që të dhëmb. Dashuria e Krishtit për ne ishte dhimbje por për këtë arsye kishte vdekur në kryq, për të na mësuar ta duam njëri tjetërin. Kështu duhet të bëjmë edhe ne: “të duam deri kur dhëmb”. 
Kemi shumë njerëz të mirë që i kanë parë në fotografi njerëzit tonë të varfër, njerëzit tonë të mirë. Unë jam me ata tash shumë vjet dhe kurrë nuk kam pas një ankesë. Disa ditë më parë, mora një njeri nga rruga të cilin po e hanin krimbat. E dërgova në shtëpinë tonë. Ku njeri tha: ” Kam jetuar si kafshë nëpër rrugë, por do të vdesë si ëngjëll, i dashur dhe i kujdesuar”. U deshën tri orë për ta pastruar këtë njeri, për të hequr çdo krimb nga trupi i tij, krimba  që po e hanin atë për së gjalli. Pas pak nuk dëgjuam asnjë fjalë prej tij. Ndërsa ishim duke u lutur me të dhe për të, ai e shikoi motrën tonë dhe foli me zë të humbur:” Motër jam duke shkuar në shtëpi tek Zoti. Pasi tha ato fjalë dha shpirt. Ishte shumë mirë që shkoi tek Zoti në këtë mënyrë. Shkoi tek Zoti me zemër të pastër e të mirë, dhe shumë i lumtur. Shkoi në amshim i gëzuar për dashurinë që kishte përjetuar nga motrat tona të cilat ishin kujdesur për të. 
Për këtë  arsye ju dhe unë jemi mbledhur sot këtu, për të filluar vitin e paqës, duhet patjetër të fillojmë në shtëpi dhe në familjen tonë. Veprat e dashurisë fillojnë në shtëpi dhe punët e dashurisë janë vepra të paqës. Ne të gjithë e duam paqën dhe të gjithe kemi frikë nga armët bërthamore, ne kemi frikë edhe nga këto smundjet e reja. Por nuk kemi frikë të vrasim fëmijët e pafajshëm dhe fëmijët që ende nuk kanë  lindur, të cilët janë  krijuar për të njëjtin qëllim: për të dashur Zotin e mua e ty. 
Kjo është kontradita dhe sot sipas mendimit Tim, aborti është shkatërruesi më i madh i paqës. Ne kemi frikë nga armët bërthamore sepse ato na prekin ne, por nuk kemi frikë kur nëna nuk ka frikë nga një vrasje të tmershme siç është aborti. Nuk ka frikë as atëherë kur vet Zoti flet për këtë. Ai ka thënë: Nëna e harron fëmjën e saj,ndërsa Unë nuk do t’u harroj ju kurrë. Unë ua kam shkruar  në shuplakë të dorës, se ju jeni shumë të vlefshëm për mua. Këto janë fjalët e Vet Zotit për ju dhe për mua dhe për atë fëmijën që ende nuk ka lindur. Dhe për këtë nëse me të vërtet e duam paqën, dhe nëse jemi të sinqertë në zemrën tonë, dhe nëse me të vërtetë e duam paqën, sot duhet të marrim vendim të  fuqishëm që në vendet tona dhe në qytetet tona nuk do të lejojmë që asnjë fëmijë i vetëm të ndjehet i padëshiruar dhe i padashur dhe kështu të hidhet jashtë shoqërisë. Ta ndihmojmë njëri tjetërin për të regulluar këtë çështje. Që në vendet tona këto ligje të tmerrshme që vrasin të pafajshmit, që shkatrrojnë jetën, që zhdukin praninë e Zotit. Këto  ligje të tmerrshme të ndalohen në vendet tona, nga kombi ynë, të zhduken njëhërë e përgjithëmonë nga njerëzit tonë dhe familjet tona.
Sot kur jemi duke u lutur të sjellim përsëri lutjet në jetën tonë. Lutjet na japin fuqi. Lutjet janë ato që ndihmojnë të shohim Zotin tek njëri tjetëri, dhe kështu ta duam njëri tjetërin siç na do Ai ne. Këto janë diçka që unë dhe ju duhet ta sjellim në këtë botë. Krejt bota i shikon këto vepra.Jemi mblledhur këtu në OKB nga gjitha vendet e botës për të gjetur rrugët dhe mjetet e paqës.S’ka dyshim se punët e  dashurisë dhe punët e paqës fillojnë në familjen tonë. Nëse shkatrrojmë foshnjën që ende nuk ka lindur, ne shkatrrojmë praninë e Zotit; Kështu shkatrrojmë dashurinë. Shkatrrojmë veprën më të shejtë që njeriu mund të ketë: kënaqësinë e dashurisë dhe për të qënë i dashuruar. 
Sot kur jemi mbledhur këtu së bashku të mbajmë në zemërat tona një vendim të fuqishëm: “se do të jemi në shërbim të dashurisë së Zotit”. Pikërisht për këtë ka ardhur Jezusi. Ai ka ardhur në këtë botë për të na mësuar ne që të duam njëri tjetërin, 
Të gjithë flasim për urinë e tmerrshme. Ato që kam parë në Etiopi, çka kam parë në vendet tjera sidomos këto ditë në vende të tmerrshme siç është Etiopia, ku qindra mijëra njerëz ballafaqohen me vdekje për një copë bukë dhe për një gotë ujë. Njerëzit kanë vdekur në duart e mia. Megjithatë ne harrojme pse ata e jo ne? T’i duam ata të shkëbmejmë me ata, dhe të lutemi që këto vuajtje të tmerrshme të largohen nga njerëzit tonë. Të ndajmë me ata gëzimin e dashurinë, pikërisht këtu fillon dashuria. Unë përsëri e themë se dashuria fillon në familje dhe në shtëpi. Të sjellim gëzimin dhe lumturinë duke u lutur. Nëse lutemi së bashku do t’i pastrojmë zemërat tona. Unë do të lutëm për ju që të rriteni me dashurinë e Zotit,duke u lutur në këtë mënyrë ju do të shëjtëroheni. Shëjtërimi nuk është luks vetëm për disa, është detyrë e thjeshtë për çdo njërin prej nesh.Shëjtërimi sjellë dashurinë, e dashuria sjellë paqën dhe paqa sjell bashkimin. Të mos kemi frikë se Zoti është me ne nëse e lejojmë, nëqoftëse e kemi gëzimin dhe zemërën e pastër. Të lutemi dhe të lutemi për njëri tjetrin. Lutnju për ne dhe në këtë mënyrë do të vahdojmë punën e Zotit me shumë dashuri. 
Mbase ju i keni parë ato motra të reja që ia kanë kushtuar jetën krejtësisht të varfërve më të varfër. Këto motra të reja kujdesen sot për 158 000 të gërbulur në Lindjen e Mesme në Afrikë dhe në Indi. Ato të gjitha këto shërbime i bëjnë me dashuri të madhe.Pse? Sepse është dikush që i do ato. Një ditë më parë dikush më pyeti ? Cka kërkon ti këtu, pasi ne i kemi të gjitha. Shteti na i jepë të gjitha. Çka ke për të bërë ti këtu? Unë i thash se këtu do të sjellë dashurinë dhe kujdesin. Asnjë para nuk ua jepë këto. Dhe për këtë jemi krijuar. Për këtë Jezusi ka ardhur për të na mësuar dashurinë. Kemi shumë njerëz të varfër në botë, mirëpo unë e kam zbuluar se varfëria e vetmisë, varfëria e mosdashjes e moskujdesit janë shumë të vështira dhe barrë e rëndë dhe tepër e vështirë për ta larguar nga kjo jetë.  
Unë kam në shtëpinë tonë njerëz nga rruga të uritur, por duke u dhënë  për të ngrënë dhe shtretër për të fjetur ua kam hequr vuajtjet, por vetmia dhe braktisja e tyre është shumë e dhimbshme. Ne mund të bëjmë shumë të mira për ata, por  nuk mund t’ua japim atë që nuk e kemi. Nëqoftëse e shohim Zotin tek njëri tjetëri do të jetojme në paqë dhe në këtë mënyrë Zoti do të jetë me ne. 

Ju falemnderit                                                                                                                                                                
Nëna Tereze.                                                                                                                                                                     

SHËNIMI YNË:

Me rastin e 40-vjetorit të themelimit të Kombeve të Bashkuara, Nëna Tereze ishte ftuar nga kjo Organizatë dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-ës Perez de Cuellar për të mbajtur fjalimin kryesor. Ky ishte nderimi më i madh që Kombet e Bashkuara mund t’i bënin Nënës Tereze. Të gjitha vendet e botës ishin ulur në karrikat e tyre për të dëgjuar fjalimin e saj në Organizatën më të madhe dhe më prestigjioze të botës. Ky ishte nderi më i madh që mund t’i bëhej Shëjtëreshës së Gjallë siç quhej në atë kohë dhe nobelistes e humanistes Nëna Tereze. Fjalimi i saj në OKB ishte ngjarja kryesore e ditës në New York. Të gjitha delegacionet botërore ishin ulur në vendet e tyre në Asamblenë e Përgjithshme, por jo delegacioni i Shqipërisë. Kanalet televizive kombëtare dhe ndërkombëtare njoftonin se delegacioni i Shqipërisë kishte braktisur sallën e Asamblesë së Përgjithme të OKB-ës. Delegacioni i Shqipërisë bolshevike ishte larguar në shënjë proteste kundër Nënës Tereze. Ata nuk e kishin pritur një veprim të tillë nga Delegacioni Shqiptar ngase Nëna Tereze ishte shqiptare. Shqiptarët e Amerikës asnjëherë nuk janë ndjerë kaq të fyer për atdheun e tyre të lindjes, Shqipërinë. Ky  ishte një akt brutal që nuk do të harrohet kurrë. Kamerat televizive amerikane tregonin karrikat bosh të Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-ës. Ky ishte veprim i turpshëm për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Sjellja e delegacionit bolshevik shqiptar në OKB atë ditë më kujtohet si një prej ditëve më dëshpëruese në jetën time në Shtetet e Bashkuara. Largimi i Shqipërisë atë ditë nga Kombet e Bashkuara ishte veprim i çmendur dhe antinjerëzor. Në atë kohë në këtë Organizatë ishin anëtare të rregullta dhjëtra shtete komuniste anëtare, por asnjëra  prej tyre nuk ishte larguar nga Asambleja e Përgjithshme siç kishte bërë delegacioni bolshevik  i Shqipërsië. Ata nuk kishin asnjë arsye për t’u larguar nga Asambleja e Përgjithshme ngase  NënaTereze nuk kishte asnjë detyrë politike ose fetare. Ishte misionare bamirëse e mbarë botës. Shtatë miliardë qytetar të globit tonë e quanin nënë, ndërsa bashkombasit e saj në OKB kishin frikë prej saj, pavarësisht se ajo ishte humaniste dhe nobeliste për paqë. Gjithë bota e quante nënë dhe si e tillë ishte ftuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në New York. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-ës Perez de Cuellar  gjatë paraqitjes së Nënës Tereze kishte thënë ato ditë se, nga ajo platformë kishte folur njeriu më i fuqishëm i botës, fjala ishte për Presidentin Ronald Reagan. Ndërsa atë ditë më 26 tetor të vitit 1985 Perez de Cuellar kishte thënë se sot do të flasi gruaja më e fuqishme në botë, Nëna Tereze. 

                                                                                                                                          Shqipërimi dhe komenti nga Gjekë Gonlekaj

SHARE