SPAJIQ: JAM OPTIMIST SE DO TË FORMOHET NJË QEVERI PRO-EVROPIANE

Mandatari njëherësh kryetar i Lëvizjes „Evropa Tani“, Millojko Spajiq, pas takimit me presidentin e vendit, Jakov Millatoviq, tha se është optimist se do të formohet qeveria.

“Ne kemi diskutuar shumë tema, si kanë qenë edhe vizitat që ka pasur presidenti në SHBA. Jam optimist se do të formohet qeveria. Do të jetë një qeveri pro-evropiane. Asgjë që është e mirë nuk është e lehtë. Në Mal të Zi gjërat shpesh ndërlikohen pa nevojë. Mundohemi unë dhe ekipi t’i përshpejtojmë negociatat. Jemi të vetëdijshëm për situatën që duhet Qeveria. Ka pasur pengesa që në fillim”, tha Spajiq pas takimit.

Sipas Spajiq, këto pengesa kanë qenë të shpeshta këtë vit, si gjatë fushatës presidenciale ashtu edhe gjatë zgjedhjeve parlamentare.

“Ende ka pengesa. Ne i presim, po luftojmë, duam një të ardhme më të mirë për qytetarët”, tha Spajiq.

Duke folur për pjesëmarrjen e koalicionit „Për të ardhmen e Malit të Zi“, ai thotë se nuk duhet të mbyllen për bisedime as me atë koalicion dhe as me parti të tjera.

“Ne duhet të mendojmë për një bisedë të gjerë,” tha Spajiq.

Spajiq theksoi se qeveria e 44-të do të përfshijë të gjitha kombet.

„Pakicat duhet të jenë pjesë e çdo qeverie, kjo është praktikë edhe në Bashkimin Evropian”, tha Spajiq.

SHARE