Në Tiranë është mbajtur Ministeriali i Ministrave të Ekonomisë, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet në Shqipëri në muajin tetor.
Takimi me temë “Tregu i përbashkët rajonal – një hap drejt tregut unik të BE-së” ka mbledhur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë ministra të Ekonomisë të vendeve të Procesit të Berlinit, përfaqësues të tjerë nga disa vende, përfaqësues të BE-së dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë i Shqipërisë, Ervin Mete, në hapjen e ministerialit tha se procesi i anëtarësimit në BE dhe procesi i integrimit gradual në tregun e vetëm të BE-së duhet të ecin paralelisht.
“Ky është një moment i ri për Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij evropiane. Situata gjeopolitike e krijuar nga lufta në Ukrainë kërkon domosdoshmërisht forcimin e marrëdhënieve mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian dhe përshpejtimin e procesit të integrimit. Hapja e negociatave të anëtarësimit me BE-në vitin e kaluar na ka dhënë mundësinë për të vlerësuar dhe përafruar legjislacionin tonë në fushën e tregut të vetëm, transportit, konektivitetit dhe mjedisit”, tha Mete.
Ministri Mete u shpreh se Procesi i Berlinit që nga fillimi i tij në vitin 2014 u konsiderua nga qeveria shqiptare si një platformë politike bashkëpunimi dhe një mjet për të përgatitur rajonin për integrimin gradual në “tregun e vetëm”.
“Duke qenë se një energji e re ka rinisur në Berlin vitin e kaluar, është koha për ta përdorur atë për të rigjallëruar përpjekjet e rajonit për të përmirësuar standardet e jetesës, lidhjen në tregti dhe transport mes rajonit dhe me BE-në dhe kalimin në ekonomi të qëndrueshme, të gjelbra dhe të digjitalizuara, të afta për të përfunduar dhe përparuar në tregun e vetëm. Si rezultat, Ballkani Perëndimor ka shprehur interes për të marrë pjesë në tregun e vetëm të BE-së edhe para anëtarësimit, duke e kthyer integrimin gjithashtu në një proces ekonomik, për disa arsye bindëse”, tha ndër të tjera Mete.
Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Oliver Varhelyi, me anë të një video-mesazhi për ministerialin, tha se në kontekstin aktual gjeopolitik, zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor është më shumë se kurrë një investim për paqen, sigurinë dhe prosperitetin në kontinent.
“Është një investim në të ardhmen tonë të përbashkët, për të cilin ky Komision ka punuar fuqishëm që nga fillimi i mandatit të tij përmes nxjerrjes së metodologjisë së re të zgjerimit dhe miratimit dhe zbatimit të Planit Ekonomik dhe Investimeve për rajonin”, tha Varhelyi, duke folur për procesin e zgjerimit.
Varhelyi shtoi se tani është gjithashtu koha për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit, duke përfshirë integrimin ekonomik.
Në ministerial mbajtën fjalët e tyre përshëndetëse edhe zyrtarë të tjerë nga disa vende dhe diskutimet vazhduan në disa panele.
Aktiviteti kishte në fokus diskutimet mbi avancimin e agjendës së integrimit rajonal nëpërmjet mbështetjes në kuadër të Procesit të Berlinit, lehtësimin e tregtisë dhe reduktimin e barrierave, integrimin e tregjeve, rritjen e bashkëpunimit rajonal, integrimin e sistemeve të pagesave të rajonit dhe përgatitjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor për një integrim eventual në Eurozonë.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme në Tiranë u mbajt edhe forumi i biznesit i vendeve të Procesit të Berlinit.