IRANI DHE OMANI DISKUTOJNË HAPJEN E NJË KORRIDORI TË PËRKOHSHËM NË NGUSHTICËN E HORMUZIT

Irani dhe Omani kanë rinisur bisedimet për menaxhimin e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët ujore më strategjike në botë, përmes së cilës para nisjes së luftës kalonte rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.

Të dy vendet kanë diskutuar krijimin e një “korridori të përbashkët të përkohshëm lundrimi” dhe kanë rënë dakord për pastrimin e ngushticës nga minat.

Megjithatë, kalimi mbetet i rrezikshëm. Të martën, një tanker nafte u godit nga një predhë e paidentifikuar rreth 17 kilometra në verilindje të Ash Shishah në Oman, pranë hyrjes së ngushticës.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se të gjitha minat në Ngushticën e Hormuzit janë pastruar, ndërsa luftimet mes SHBA-së dhe Iranit janë zbutur, por përpjekjet diplomatike për një marrëveshje paqeje kanë ngecur. Ndërkohë, tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit mbeten të larta.

Shërbimi Sekret amerikan konfirmoi se është në dijeni të një videoje të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian, në të cilën diskutohej një pretendim për një komplot të mundshëm për vrasjen e Barron Trump, djalit 20-vjeçar të presidentit amerikan.

Në video pretendohej se ai po monitorohej dhe se ishte ofruar një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për vrasjen e tij.

Në një tjetër zhvillim, SHBA-ja ka nisur të rikthejë personelin në disa misione diplomatike në Lindjen e Mesme, të evakuuara për shkak të tensioneve me Iranin.

Lëvizja sinjalizon se Uashingtoni vlerëson se rreziku i një përshkallëzimi të menjëhershëm të konfliktit është ulur, megjithëse disa ambasada do të funksionojnë fillimisht me kapacitet të reduktuar.

SHARE