Ministrja e Turizmit në Qeverinë e Malit të Zi, Simonida Kordiq, ka vizituar teleferikun “Kotor – Lovqen”, dhe me atë rast ka theksuar se është një projekt turistik i suksesshëm që zyrtarisht ka filluar të punojë me kapacitet të plotë këtë sezon.
“Është jashtëzakonisht interesante që gjatë këtij sezoni teleferiku transportoi mbi 100,000 vizitorë. Kjo është gjithashtu një recetë se si disa investime të mëparshme, si dhe projekte të ardhshme në turizëm, mund të valorizohen në mënyrë të ngjashme në vende të tjera në Mal të Zi,” ka thënë Kordiq.
Vëmendje e veçantë iu kushtua përmbajtjeve shtesë si ngasja me biçikletë dhe oferta e kafeneve dhe restoranteve, e cila është thelbësore për formimin e ofertës së pritur nga turisti modern.
“Ai model duhet mbajtur parasysh kur flasim për valorizimin e potencialit në vende të tjera në Mal të Zi. Ne e dimë që stina e dimrit është shumë e ndjeshme, veçanërisht me ngrohjen globale, e cila vë në pikëpyetje nëse do të ketë borë, dhe me transportin me teleferik është e mençur të hapen objekte shtesë që në fakt përfaqësojnë një magnet të veçantë për turistët që nuk kërkojnë investime të tepruara në infrastrukturë, por një qasje moderne ndaj turizmit përmes së cilës krijohet një ofertë moderne dhe tërheqëse”, thekson ministrja.