Pas paralajmërimeve të shumta zyrtare, qytetarët e ndërgjegjshëm filluan të shembin vetë rrethimet e tyre ilegale. “Ashtu siç kemi vepruar deri më sot, duke zbatuar ligjin me përpikmëri, të bindur se vetëm kështu mund ta zhvillojmë vendin tonë, Ju informojmë si vetëqeverisje lokale, jemi kompetent për kontrollimin e rrethimeve, të cilat bëhen nga individ të papërgjegjshëm, në dëm të pronës publike,” u njoftua nga Komuna e Tuzit. Siç theksuan ata, rasti i sotëm i përket një uzurpuesi të pandërgjegjshëm, i cili u përball me forcën e ligjit dhe kështu muri uzurpues i pronës publike u shemb. “Zbatimi i ligjit në komunën tonë ka qenë një dukuri e radhë, pasi edhe sot, pjesëtaret e opozitës aktuale kanë përkrahur uzurpuesit, mirëpo kjo praktikë është e kaluara. Rendi, ligji dhe zhvillimi i vendit është obligim joni si institucion i të gjithë qytetarëve. Objektet e ndërtuara gjatë këtij aksi rrugor janë kompetencë e inspektoratit të Qeverisë, e Komuna e Tuzit, i ka të procesuara të gjitha ato. Me ç’rast ftojmë Qeverinë që të veprojë sipas kompetencave të veta,” thuhet në njoftimin e komunës së Tuzit. Ata vunë në dukje se asnjë individ nuk mund të jetë mbi të tjerët, prona publike është e të gjithë qytetarëve të Malësisë. “Pronat pranë rrugës ndërkombëtare, nga gjimnazi e deri te pompa lukoil, do të jenë të gjitha shumë shpejt në prokurim publik për shfrytëzim të përkohshëm,” theksuan nga komuna e Tuzit. Ata shtuan se të gjithë të interesuarit do ta kenë mundësinë që të konkurojnë dhe ti shfrytëzojnë ato për biznese të ndryshme. “Këto infomacione i kishte edhe uzurpuesi në fjalë, por dëshironte falas pa pages të ishte i privilegjuar në krahasim me qytetarët tjerë. Ne këtë nuk e lejojmë, sepse prona është e të gjithë qytetarëve me mundësi të barabarta! Ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të mbrojmë pronën e komunës mbështetur në kompetencat që kemi me ligj,” thuhet në njoftim.