DUKAJ: ADMINISTRATA PUBLIKE DUHET TË JETË NË SHËRBIM TË QYTETARËVE, JO PENGESË BUROKRATIKE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, deklaroi se Mali i Zi duhet të ndërtojë një administratë publike më efikase, më transparente dhe më pranë qytetarëve, duke theksuar se reforma e vetëqeverisjes lokale, digjitalizimi dhe profesionalizimi i administratës mbeten prioritetet kryesore të ministrisë që ai drejton.

Sipas tij, Ligji i ri për Vetëqeverisjen Lokale, i cili ndodhet në procedurë parlamentare, do të forcojë kapacitetet e komunave, do të rrisë transparencën dhe përgjegjshmërinë, si dhe do të krijojë mekanizma të rinj për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve në vendimmarrje.

Dukaj theksoi se administrata lokale duhet të jetë një shërbim për qytetarët dhe jo një pengesë burokratike për realizimin e të drejtave të tyre.

Ai vuri në dukje edhe përparimin në procesin e digjitalizimit, duke bërë të ditur se është planifikuar ofrimi elektronik i 175 shërbimeve publike nga 22 institucione.

Aktualisht, në fazë pilot janë katër shërbime digjitale, përfshirë regjistrimin e martesës, aplikimet për bursa studentore dhe kompensimin për të porsalindurit.

Ministri njoftoi gjithashtu se së shpejti pritet të miratohet edhe Ligji për Qeverinë, i cili do të rregullojë më qartë organizimin, funksionimin dhe përgjegjësitë e pushtetit ekzekutiv.

SHARE