Foto: CDM
I ngarkuari me punë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Mal të Zi, Majk Kiz, ka deklaruar se SHBA dhe Mali i Zi po thellojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë kufitare dhe forcimit të institucioneve shtetërore.
Në një mesazh me rastin e 250-vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së, Kiz theksoi rëndësinë e sovranitetit shtetëror, duke nënvizuar se një shtet i fortë duhet të kontrollojë kufijtë e tij, të mbrojë qytetarët dhe të garantojë sigurinë territoriale.
Sipas tij, këto parime janë po aq të rëndësishme për Malin e Zi sot, në kushtet e sfidave si krimi transnacional, ndikimet e huaja dhe paqëndrueshmëria rajonale.
Ai theksoi se siguria e kufijve është thelbësore për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe funksionimin e shtetit, duke shtuar se Mali i Zi po vazhdon të forcojë institucionet e tij që nga pavarësia e vitit 2006.
Kiz gjithashtu njoftoi se prioritet i bashkëpunimit mes dy vendeve është finalizimi i një marrëveshjeje ndërqeveritare, e cila do të lehtësojë investimet amerikane dhe do të forcojë veçanërisht bashkëpunimin në sigurinë kufitare, përmes teknologjive moderne si skanera dhe sensorë për kontroll më efikas.
Ai deklaroi se SHBA dhe Mali i Zi po ndërtojnë një partneritet të fortë, me synim përfitime afatgjata për qytetarët e të dy vendeve.










