Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Komisioni Evropian ka miratuar pagesën e këstit të tretë të fondeve nga Plani i Rritjes për Malin e Zi, në shumën totale prej 44,2 milionë euro.
Kjo, sipas Qeverisë, tregon besimin e BE-së në procesin e reformave dhe progresin e vendit në rrugën evropiane.
Nga kjo shumë, 20,6 milionë euro do të derdhen direkt në buxhetin e shtetit, ndërsa 23,6 milionë euro janë të dedikuara për projekte infrastrukturore përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Qeveria thekson se Mali i Zi ka arritur rezultatet më të mira mes vendeve përfituese të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor sa i përket përmbushjes së reformave dhe shfrytëzimit të fondeve.
Sipas njoftimit, progres është arritur në disa fusha kryesore:
- përmirësimi i klimës së biznesit dhe heqja e barrierave administrative,
- investime në efikasitetin energjetik dhe modernizimin e ndriçimit publik,
- përmirësime në të drejtat e njeriut dhe ulje të ankesave,
- rritje e financimit në shkencë dhe inovacion,
- digjitalizim i plotë i shërbimeve publike të planifikuara,
- reforma në sistemin e këshillimit të karrierës dhe politikave sociale,
- forcim i sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
Qeveria vlerëson se këto rezultate tregojnë angazhimin e vendit për reforma në ekonomi, tranzicion digjital dhe të gjelbër, zhvillim të kapitalit njerëzor dhe forcim të shtetit të së drejtës, duke kontribuar në përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.










