BUJAR OSMANI SOT NË KOSOVË, TAKOHET ME KRERËT E SHTETIT

    Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili është edhe kryesues aktual i OSBE-së, sot vizitoi Kosovën dhe është takuar me krerët e shtetit.

    Siç njofton Zyra e Presidentes, në takim me ministrin Osmani, diskutuan për bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës me OSBE-në përgjatë viteve, raportet bilaterale me Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në rajon dhe më gjerë.

    Presidentja Osmani u informua mbi prioritetet e ministrit Osmani dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut si kryesues të sivjetëm të OSBE-së, si dhe diskutuan mbi mbështetjen e OSBE-së për Republikën e Kosovës në të kaluarën, dhe bashkëpunimin aktual, në veçanti, presidentja Osmani ka përmendur vazhdimin e bashkëpunimit për fuqizimin e vajzave, grave dhe rinisë, me theks të veçantë në Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

    Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë në ballë të progresit në rajon dhe më gjerë sa i përket forcimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe promovimit të të drejtave të njeriut, të cilat tanimë po njihen ndërkombëtarisht.

    Tutje, ajo shprehu përkushtimin e institucioneve kosovare për vazhdim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët, për ta avancuar rrugën euroatlantike të Kosovës, si prioritet shtetëror.

    Në temën e raporteve bilaterale me Republikën e Maqedonisë së Veriut, presidentja Osmani ka vlerësuar rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve, si dhe përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e mëtejmë të tyre.

    Presidentja Osmani dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Osmani kanë folur edhe për dialogun me Serbinë, me ç’rast, Presidentja Osmani ka theksuar shkeljet e vazhdueshme të Serbisë karshi marrëveshjeve të Brukselit, ndërsa ka përmendur angazhimin e Kosovës për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

    Gërvalla tha se bashkë me ministrin Osmani konstatuan bashkëpunimin e shkëlqyeshëm të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe nevojën për të vazhduar ky bashkëpunim në mes të dy vendeve fqinje.

    Osmani është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Kurti e ka  falënderuar OSBE-në për kontributin që ka dhënë për demokratizimi në Kosovë, për sigurinë e vendit dhe të qytetarëve.

    SHARE