Të paktën një person ka humbur jetën dhe 15 të tjerë janë plagosur në një sulm me raketa në një spital në Dnipro, në lindje të Ukrainës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi sulmin dhe tha se autoritetet po punonin për të shpëtuar të tjerët nga spitali.

Zelensky postoi në Tëitter një video të ndërtesës së dëmtuar që tregonte zjarrfikësit në vendngjarje dhe tymin që dilte nga ndërtesa.

“Vetëm një shtet djallëzor mund të luftojë kundër klinikave. Nuk mund të ketë asnjë qëllim ushtarak për këtë. Është terror i pastër rus. Rusia ka zgjedhur rrugën e së keqes me vullnetin e saj dhe nuk do ta braktisë vetë këtë rrugë. Ne duhet ta mposhtim terrorin”, tha ai.

Gjatë natës, Rusia nisi një valë tjetër sulmesh ajrore kundër Ukrainës gjatë natës, por shumica e raketave dhe dronëve u rrëzuan nga mbrojtja ajrore ukrainase, thanë zyrtarët ushtarakë dhe rajonalë.

Nëpër gjithë territorin e Ukrainës u dëgjuan alarmet për sulme ajrore për orë të tëra, pasi Kievi dhe disa rajone të tjera u vendosën në shënjestër.

Ushtria ruse lëshoi 17 raketa dhe 31 dronë sulmues të prodhuar nga Irani në objektiva civile dhe ushtarake, por mbrojtja ajrore ukrainase arriti të rrëzojë 10 raketa dhe 23 drone, njoftoi Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës mëngjesin e të premtes.

Dëmet që u shkaktuan nga rënia e mbetjeve të shpërthimeve u raportuan në rrethet Obolon dhe Shevçenkiski të Kievit, por Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit, tha se nuk kishte raportime për të lënduar apo viktima gjatë sulmit tre-orësh në kryeqytet që filloi rreth orës 3 të mëngjesit.

Ky ishte sulmi i 13-të i tillë në kryeqytetin ukrainas këtë muaj. Rajonet e Harkivit dhe Dnipropetrovskut ishin gjithashtu në shënjestër të sulmeve ruse, thanë zyrtarët lokalë.

SHARE