SLLOVENIA DO TË ORGANIZOJË SAMITIN MES BE-së DHE BALLKANIT PERËNDIMOR

Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha ka paralajmëruar se gjatë kryesimit të vendit të tij me Bashkimin Evropian, do ta kthejë fokusin nga procesi i zgjerimit dhe nga Ballkani Perëndimor. Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, Jansha tha se zgjerimi i BE-së është përgjigja më e mirë strategjike ndaj sfidave me të cilat përballet Evropa. I pyetur rreth ideve për ndryshimin e kufijve në Ballkan, kryeministri slloven tha se “përgjigja më e mirë ndaj çështjes së kufijve është perspektiva e anëtarësimit në BE”, që sipas tij, e bën çështjen e kufijve më pak të rëndësishme. Sipas kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansha, zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor ka një rëndësi strategjike për BE-në, sidomos duke pasur parasysh se ka edhe faktorë të tjerë që tentojnë të kenë ndikim në këtë rajon. Ai tha se Sllovenia mbështet edhe zgjerimin e zonës së Shengenit, apo zonës së lëvizjes së lirë, pa viza. Në këtë drejtim ai ka thënë se mbështet edhe anëtarësimin e Kroacisë, Rumanisë dhe Bullgarisë në Shengen sepse sipas tij, kjo do ta rrisë sigurinë e BE-së. Sa i përket Ballkanit Perëndimor, Jansha ka konfirmuar se gjatë kryesimit të Sllovenisë do të zhvillohet edhe një samit i veçantë mes BE-së dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky samit do të zhvillohet në Slloveni më 6 tetor, tha Jansha.

SHARE