SERBIA KRITIKON MALIN E ZI PËR MOSHAPJE TË KUFIRIT ME TË

Ministrja e Transportit e Serbisë, Zorana Mihajlloviq, tha se vendimi i Malit të Zi për të mos hapur kufijtë me Serbinë është në kundërshtim me parimet e lirisë së lëvizjes, mbi të cilat bazohet Bashkimi Evropian, dhe se nuk u kontribuon marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon.

“Mali i Zi, në procesin e integrimit evropian, ka përparuar më shumë se Serbia dhe disa vende të tjera të rajonit. Në përputhje me këtë, ai do të duhej të ishte shembull për të tjerët. Por, në vend të kësaj, midis njerëzve krijohen artificialisht barriera”, tha Mihajlloviq.  

“Ky vendim e thotë qartë se jo vetëm Mali i Zi ka det dhe unë besoj se qytetarët tanë do ta kuptojnë këtë mesazh”, shtoi ajo.

Të hënën, Qeveria e Malit të Zi ka bërë të ditur se me cilat vende do t’i rihapë kufijtë, të cilët janë mbyllur për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Në mesin e tyre janë: Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Shqipëria dhe Greqia.

SHARE