Kifle me Djathë

Një ushqim i lehtë, i shpejtë, por mbi të gjitha i përgatitur në shtëpi edhe i shëndetshëm, kiflet janë padyshim mënyra më e mirë për të mbledhur gjithë familjen rreth tryezës së ngrënies në orët e para të mëngjesit.

AgroWeb.org ju përcjell më poshtë një recetë fantastike të kifleve me djathë, e cila përgatitet krejt lehtë dhe shpejtë në shtëpi.

Nëse dëshironi mbushjen e kifleve mund ta bëni edhe me përbërës të tjerë me spinaq apo edhe gjizë apo t’i përgatisni ato të ëmbla.

Në rastin e kifleve të ëmbla gjatë përgatitjes së brumit duhet të hidhni pak sheqer në vend të kripës dhe mbushjen mund ta bëni me reçelra të ndryshëm apo edhe çokollatë.

Përgatitja e Kifleve me Djathë në Shtëpi

Përbërësit

  • 500 gr miell
  • Kripë
  • 150 gr gjalpë
  • Një filxhan çaji kos
  • 3 të verdha vezësh
  • Djathë i bardhë i thërmuar
  • Rigon

Përgatitja

Si fillim hedhim në një tas të madh miellin, gjalpin dhe kripën. I kalojmë të gjitha në mikser derisa të jenë përzjerë mirë me njëra tjetrën.

Më pas shtojmë të verdhat e vezëve bashkë me kosin dhe vijojmë t’i përzjejmë në mikser derisa brumi të jetë i njëtrajtshëm.

E hedhim brumin në një enë tjetër dhe e punojmë me dorë për disa minuta.

Më pas, AgroWeb.org ju këshillon që brumin ta mbështillni me një pecetë kuzhine dhe lëreni të pushojë për 30 minuta në frigorifer.

E nxjerrim nga frigoriferi dhe e hollojmë në formën e petës në një trashësi prej 2 mm.

Më pas, petën e presim në forma trekëndore. Në secilin prej trekëndëshat hedhim nga një lugë djathë të thërmuar të përzier me pak rigon.

I mbyllim në formën e roleve duke shtypur me kujdes të dyja anët e kifleve.

I vendosim në tavë ku më parë kemi shtruar një letër pjekjeje.

Pasi i kemi vendosur të gjithë me radhë në tavë, kiflet i fusim në furrë të ngrohur në 180 gradë dhe sipër nëse preferoni mund t’i lyeni me të verdhë veze.

I pjekim për 25 minuta, i nxjerrim nga furra dhe i lëmë të ftohen.  Sipas preferencës, para se t’i shërbejmë i spërkasim me pak fara susami sipër./AgroWeb.org

SHARE