ORA E KRYEMINISTRIT, SPAJIQ PËRGJIGJET NË PYETJET PARLAMENTARE

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq iu përgjigj pyetjeve të përfaqësuesve të grupeve parlamentare në seancën e Kuvendit të Malit të Zi sot, në kuadër të Orës së Kryeministrit.

Seanca është zhvilluar mes debateve të ashpra dhe tensioneve verbale.

Tema kryesore ishte informacioni për ardhjen e një investitori të ri në Mal të Zi, Mohamed Alabar nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe një investim i mundshëm deri në 30 miliardë euro.

Kryeministri Spajiq tha se Qeveria e mëparshme, e 43-të, e udhëhequr nga Dritan Abazoviq, as që ka menduar për një marrëveshje kornizë me investitorët, por ka menduar për ‘investitorët’ si Naser Ramaj.

Ai tha se Ramajn e kishte përmendur vetëm për shkak se nuk i kishte paguar taksa shtetit të Malit të Zi dhe jo për shkak të përkatësisë së tij etnike apo fetare.

Ai tha se projekti i shpallur nga investitori i Emirateve të Bashkuara Arabe sjell përfitime të shumta.

“Ne po e përfshijmë komunitetin lokal në proces këtu, për të dëgjuar të gjitha sugjerimet e tyre sepse kjo është ajo që është duke e bërë qeveria përgjegjëse qendrore. Unë ju këshilloj z. Abazoviq që të relaksoheni”, tha Spajiq.

Kryetari i LQ URA Dritan Abazoviq tha se projektet e shpallura paraqesin mashtrime epike nga Spajiqi.

Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale dhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit që të përfshihen sepse zyrtari ka paraqitur një projekt privat.

Spajiq tha gjithashtu se Parlamenti lejon shkeljen e rregullores dhe nuk respekton rregulloren e vet.

Parlamenti, siç tha kryeministri, lejon që monologët të shkelin rregullat e procedurës në dhomën legjislative.

Kryeparlamentari Mandiq shpjegoi se po vepron në frymën e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve konstruktive në Parlament.

Ai u bëri thirrje të gjithë deputetëve që të respektojnë rendin dhe t’i përmbahen Rregullores së Punës.

Deputeti Mehmet Zenka nga Klubi i Deputetëve të Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe Nismës Qytetare Kroate e pyeti Spajiqin se cilat ishin planet e tij për mega investimin e kompanisë arabe që përfshin Plazhin e Madh në Ulqin.

Ai tha se nuk është i kënaqur me njoftimet.

Zenka tha se Ulqini nuk u shmanget investimeve, por është i hapur ndaj tyre.

Spajiq tha se për herë të parë në historinë e vendit kemi përfshirë komunitetin lokal në planifikim dhe kemi folur hapur për të gjitha sfidat.

“Kush e pyeti Tivatin për Porto Montenegro. Budvën për projektet e Maroviqit? Askush nuk e pyeti komunitetin lokal, kjo është hera e parë që ne pyesim. Kjo nuk është politikë e vogël, këto janë histori të mëdha. Duhet të jemi të përgjegjshëm ndaj brezave që vijnë”, tha Spajiq.

Ai theksoi se në kuadër të këtij projekti Ulqini do të marrë marinën më moderne në Adriatik, një aeroport, dy fakultete, njëri prej të cilëve është i licencuar nga Universiteti i Nju Jorkut, restaurimi i qytetit të vjetër dhe se kjo është një mundësi e madhe.

“Dëshiroj të shoh investime në Ulqin. Të gjitha komunat rreth perimetrit të vendit tonë janë të neglizhuara. Mendoj se duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi”, tha Spajiq.

Në kuadër të Orës së Kryeministrit, u diskutua edhe mbi çështje të tjera si: Nëse të dhënat për aktivitetin ekonomik në fund të vitit 2024 dhe dy muajt e parë të vitit 2025 mund të kuptohen si një pranim publik nga qeveria se modeli i tyre populist-konsumator ka përjetuar një kolaps; Çfarë ndikimi do të kenë këto borxhe të reja në totalin e borxhit publik të shtetit, duke pasur parasysh se këto borxhe të reja do të nënkuptojnë edhe investime të reja të mëdha, të cilat gjithashtu duhet të gjenerojnë të hyra të reja dhe të jenë gjenerues i zhvillimit ekonomik në afat të mesëm; A është e gatshme Qeveria, me iniciativën e Komunës së Nikshiqit dhe të EEMZ, të përfshihet më shumë në zbatimin e projektit për ndërtimin e një mijë banesave të reja në Nikshiq të quajtur “Qyteti me diell”; Cili është pozicioni aktual i Spajiqit dhe i Qeverisë kur bëhet fjalë për decentralizimin? etj…

SHARE