CAMAJ: SI PËRFAQËSUES I POPULLIT PAKICË JAM I INTERESUAR QË ÇËSHTJA E SHTETËSISË TË ZGJIDHET

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Deputeti i Forumit Shqiptar, Nikollë Camaj tha për „Pobjeda“, se si përfaqësues i një populli pakicë në Mal të Zi, të cilit një numër i madh bashkatdhetarësh kanë humbur shtetësinë, është i interesuar që kjo çështje të zgjidhet.

„Çështja e dyshtetësisë është një temë që duhet të merret seriozisht në mënyrë që zgjidhja e arritur të korrigjojë disa padrejtësi ekzistuese dhe që në asnjë mënyrë të mos rrezikojë të ardhmen e shtetit,“ tha Camaj.

Ai shpjegoi se modeli që ai mendon se është i saktë, cilësor dhe nuk kërcënon interesat e shtetit, i referohet qytetarëve të lindur në Mal të Zi, si dhe fëmijëve të tyre që kanë të drejtën e shtetësisë, e cila, siç thotë Camaj, në asnjë mënyrë nuk duhet të ngatërrohet me vendbanimin.

„Sepse një gjë është shtetësia dhe tjetër çështje është vendbanimi.  Janë të shumta rastet e personave të lindur në Mal të Zi, të cilët madje e kanë kryer shërbimin ushtarak në Jugosllavi, më pas kanë shkuar jashtë shtetit dhe atje nuk kanë arritur të zgjidhin statusin e tyre, janë fshirë nga regjistri malazez i shtetësisë dhe tani janë pa shtetësi. Prandaj besoj se ka modele me të cilat një padrejtësi e tillë mund dhe duhet të korrigjohet,“ theksoi Camaj.

Megjithatë, siç tha ai, përkundër nevojës së madhe për zgjidhjen e kësaj çështjeje, e cila është me rëndësi të jashtëzakonshme për pakicat, duhet të presim përfundimin e procesit integrues të Malit të Zi sepse, siç shtoi ai, BE-ja është prioritet.

„Unë besoj se pas anëtarësimit në BE, Mali i Zi mund t’i qaset zgjidhjes më të mirë të mundshme për këtë çështje shumë më lehtë dhe në mënyrë më relaksuese. Gjithsesi, Forumi Shqiptar do të mbajë qëndrim për modelet që po përmenden në opinion vetëm kur të paraqiten si propozime konkrete”, tha Camaj për „Pobjeda“.

SHARE